Po transportonin 15 shtetas afrikanë drejt Malit të Zi, arrestohen dy të rinj në Shkodër

Aktualitet | 3 muaj më parë

Policia Kufitare e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Halfway”, duke goditur një rast të dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit.

Si rezultat i operacionit, janë arrestuar në flagrancë shtetasit E. A., 22 vjeç, dhe M. F., 19 vjeç, të dy banues në Fushë-Arrëz, të cilët dyshohet se transportonin kundrejt pagesës 15 emigrantë nga vendet e Afrikës, me synim kalimin e paligjshëm drejt Malit të Zi.

Sipas Policisë, dy të rinjtë u ndaluan në fshatin Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, ndërsa po lëviznin me një automjet tip furgon, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në kuadër të kontrolleve intensive për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar edhe në informacione të siguruara në rrugë operative.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme