Policia Rrugore forcon masat për sigurinë në rrugë, mbi 1000 arrestime gjatë 4 muajve të parë të 2026. Shkaku kryesor i aksidenteve, shpejtësia e lartë
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike, Drejtues i Lartë Dhimitraq Ziu, ka bërë publike një sërë masash të reja të Policisë Rrugore me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë në rrugët e vendit.
Sipas deklaratës, Policia Rrugore ka kaluar në një fazë të re monitorimi të qarkullimit rrugor, duke përdorur teknologji të avancuar për identifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve. Në këtë kuadër janë kalibruar 22 pajisje shpejtësie dhe janë shpërndarë dronë, kamera, aparate fotografike, si dhe pajisje për testimin e alkoolit dhe drogës në të gjitha strukturat.
Monitorim me teknologji dhe kontrolle të synuara
Ziu bëri të ditur se në akset rrugore nacionale nuk do të ketë ndalime të panevojshme të automjeteve, por kontrolli do të bëhet përmes mjeteve logjistike dhe patrullave lëvizëse. Shkeljet e evidentuara do të pasqyrohen në kohë reale në sistemin e-Albania.
Policia do të ndërhyjë vetëm në rastet e sjelljeve agresive në rrugë, si parakalime të rrezikshme, shpejtësi ekstreme apo manovra të gabuara. Gjithashtu, do të bashkëpunohet me Qendrën Kombëtare të Monitorimit të Trafikut për verifikimin dhe trajtimin e shkeljeve.
Në zonat urbane do të vijojnë kontrollet për alkool, shpejtësi, përdorim telefoni gjatë drejtimit, mosvendosje të rripit të sigurimit, si dhe mosrespektim të këmbësorëve. Në fokus të veçantë do të jenë edhe parkimet e gabuara, përfshirë përdorimin e mjeteve ngritëse për largimin e automjeteve.
Statistikat: mijëra shkelje dhe arrestime
Gjatë 4-mujorit të vitit 2026, sipas të dhënave të Policisë Rrugore:
1,009 drejtues automjetesh janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi
82,100 gjoba për shpejtësi mbi normat e lejuara
815 drejtues janë pa asnjë pikë në lejen e drejtimit dhe do t’i nënshtrohen ritestimit
27,000 masa për parakalime të gabuara
Rreth 60,000 masa për mosvendosje të rripit, përdorim telefoni dhe mosvendosje kaskash
160,000 masa për parkime të gabuara
85,000 masa për shkelje të tjera administrative
Autoritetet theksojnë se shkaku kryesor i aksidenteve mbetet shpejtësia, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e viktimave janë këmbësorë, drejtues motomjetesh dhe biçikletash (33%).
Paralajmërimi i Policisë
Policia Rrugore apelon për respektim të rregullave të qarkullimit dhe paralajmëron se çdo sjellje agresive në rrugë apo ndaj punonjësve të policisë do të ndëshkohet maksimalisht.
Sipas deklaratës, masat e reja synojnë rritjen e sigurisë rrugore dhe uljen e numrit të aksidenteve me pasoja fatale në vend.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




