Politika e ndarë për raportin e PE: Mazhoranca vlerëson punën në rrugën e integrimit, opozita e quan qeverinë pengesë

Politikë | 1 vit më parë

Pas miratimit të raportit të Parlamentit Europian për progresin e Shqipërisë gjatë viteve 2023–2024, reagimet nga politika shqiptare nuk kanë munguar. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ministri i Brendshëm, Taulant Balla dhe deputetja e opozitës, Jorida Tabaku, kanë komentuar dokumentin.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cilësoi raportin “një mesazh politik të rëndësishëm” që reflekton progresin e Shqipërisë në drejtim të reformave dhe përputhjes me standardet europiane. Ajo vlerësoi gjuhën inkurajuese të dokumentit dhe falënderoi eurodeputetët për mbështetjen e qartë që i japin Shqipërisë në rrugëtimin e saj europian.

“Ne jemi të përkushtuar për të ecur më shpejt dhe më thellë me reformat, në përputhje me aspiratat e qytetarëve shqiptarë,” tha Spiropali.

Edhe ministri i shtetit, Taulant Balla, përshëndeti miratimin e raportit, duke theksuar se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor për sa i përket përparimit në integrimin europian. Ai falënderoi grupet politike në Parlamentin Europian dhe Komisionin Europian për mbështetjen e anëtarësimit të vendit brenda kësaj dekade.

“Kryefjala e raportit të këtij viti është fakti se Shqipëria është në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në këtë proces,” shkroi z. Balla në rrjetin social Facebook.

Ndërsa opozita shfaqi një qasje më kritike përmes deputetes Jorida Tabaku, e cila theksoi se “Shqipëria ka nevojë për reforma reale”. Sipas saj, zgjedhjet e 11 majit u njollosën nga përdorimi i burimeve publike dhe blerja e votës. Ajo falënderoi eurodeputetin David McAllister për mbështetjen ndaj shqetësimeve të ngritura nga opozita për funksionimin e demokracisë në vend.

Gazetare: Rugova Dunisha

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme