Porti i Durrësit/ Rama: Injorancë të akuzohen investitorë të kalibrit si të Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit

Politikë | 4 vite më parë

“Është injorancë dhe ligësi të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama lidhur me akuzat për projektin e Portit të Durrësit.

Rama e cilëson projektin si një nga investimet më të mëdha të huaja në rajon, ndërsa shton se “të shiturit për rubla” e trajtojnë atë si “aferë katundi për pula”.

Kryeministri tha se kompania që po e ndërton një ndër projektet më prestigjiozet në Lindjen e Mesme është një mundësi e paçmuar që t’i angazhojmë si partnerë.

Mes akuzave të opozitës për këtë projekte, Rama shprehet se më problematike mbetet fakti se si tua shpjegosh këtë “harmoni fatale të injorancës me ligësinë” të huajve.

“Çfarë s’po na dëgjojnë veshët për një prej kompanive më prestigjoze të Lindjes së Mesme dhe një prej investitorëve më të vlerësuar në industrinë globale të turizmit, që është fat, nder dhe mundësi e paçmuar t’i angazhojmë si partnerë të shtetit në Durrës!

Në një harmoni fatale të injorancës me ligësinë, motivuar prej urrejtjes politike si mishërim i mallkimit që e përndjek këtë vend në rrugën e shtetbërjes qysh prej 1912, ka plasur e dalë rrugëve një llum i pashoq akuzash mbi gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!

Investimi më i madh i huaj në rajon, që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë dhe do impaktojë drejtpërdrejtë ekonominë kombëtare, trajtohet si aferë katundi për pula, ndërsa kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet si defter hallvaxhinjsh!

Mirë vetes i thua duro si ke duruar se të dinë si veten e s’ke ç’u bën, po sekëlldi e madhe t’u shpjegosh të huajve se si mund të kulmojnë kaq lart injoranca me ligësinë dhe si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit!

Shteti shqiptar ortak me 33% në një investim të huaj s’ka qenë kurrë dhe për këtë kemi negociuar kaq gjatë, e s’i ramë shkurt me ligjin e Shqipërisë 1 €uro siç do kishin bërë përbaltësit tanë pasi t’i kishin kërkuar 33% për vete apo siç e kishin zakon të thoshin “gjys për gjys”!

Po mezi po e pres seancën e parlamentit javën tjetër, ku të gjitha faktet do t’i ndajmë mirë e mirë me shqiptarët, se me të shiturit për rubla e me urrejtësit profesionistë të banaqeve mediatike, s’ka të bardhë që nuk kthehet në të zezë dhe s’ka diell që nuk mbulohet me shoshë”, shkruan Rama në Twitter.

Projekti i Durrësit ka qenë një ‘kalë beteje” për opozitën, e cila e cilëson atë si një mega aferë ku janë të përfshira edhe kompani offshore. Sipas opozitës ky projekt i heq Durrësit portin mijëvjeçar për të ndërtuar pallate për klientët e qeverisë. Nga ana tjetër qeveria ka reaguar duke thënë se ky port do zhvillojë ekonominë dhe do hap me mijëra vende pune duke e kthyer Durrësin në një pikë kryesore turistike në Mesdhe.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme