Pranimi në universitet, Kushi: Raund shtesë për ata që s’kanë mundur të regjistrohen

Për të gjithë ata të rinj të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen në universitete, pavarësisht se i plotësojnë kushtet e pranimit, do t’u jepet mundësia të regjistrohen përmes një raundi shtesë.
Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, e cila njofton se afati për plotësimin e formularëve do të jetë data 3 nëntor 2022, ora 8:00 – 16:00.
Të rinjtë do të kenë mundësi të zgjedhin një nga programet ku ka ende kuota të lira, në universitete publike dhe jopublike, sipas preferencave të tyre.
“Për të gjithë ata të rinj që duan të regjistrohen në universitete, që plotësojnë kriteret e mesatares së pranimit, por për arsye të ndryshme nuk kanë arritur të plotësojnë formularin A1/A1Z, apo që duhet të sistemojnë të dhëna që u mungojnë, dëshiroj t’ju jap lajmin e mirë se kemi ofruar një mundësi të re. Në këtë raund të fundit të procesit të regjistrimit për vitin akademik 2022-2023, ju ftojmë të plotësoni formularin dhe të zgjidhni një nga programet ku ka ende kuota të lira, në universitete publike dhe jopublike, sipas preferencave tuaja. Afati për plotësimin e formularëve do të jetë data 3 nëntor 2022, ora 8:00 – 16:00. Në të gjitha shkollat e mesme të vendit, stafet tona mësimore do të jenë në gatishmëri të plotë për t’ju asistuar në këtë proces. Suksese të gjithëve!”, shkruan Ministrja në Facebook.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




