Prapaskenat e Fest 64, Andri Xhahu dhe Antoneta Koçi tregojnë disa nga surprizat e këtij edicioni

Në prag të Festivalit të 64-t të Këngës në RTSH, gazetarët Andri Xhahu dhe Antoneta Koçi kanë zbuluar disa nga elementet më të veçanta që do të karakterizojnë katër netët e këtij edicioni, të cilat pritet të sjellin emocione.
Në studion e RTSH 24, Xhahu tha se këtë vit në skenë do të ngjiten këngë të ndërtuara mbi histori të vërteta dhe përjetime personale të artistëve.
“Këngët që janë në garë këtë vit janë këngë personale, vijnë nga histori të jetuara. Kanë ardhur më shumë krijime të tilla nisur edhe nga ajo që po ndodh në botë sot. Këngëtarët tani duan të jenë në procesin krijues, të hedhin shpirtin aty. Ka krijime autentike, ka krijime me shumë shpirt brenda dhe çdo këngë është një histori. Kjo është në pjesën më të madhe të artistëve të cilët janë përlotur në studio. Kur bëhen bashkë historitë njerëzore, me muzikë shumë të mirë, nuk ka të paguar”, u shpreh ai.
Po ashtu, Festivali i këtij viti do të ketë një fokus të veçantë te performanca skenike dhe vizualja. Përveç këngëve, publiku do të shohë koreografi të përgatitura posaçërisht, instrumente të traditës shqiptare që do të ngjiten në skenë. Në skenë do të ngjiten edhe të ftuar ndërkombëtarë, mes tyre artisti estonez Tommy Cash, i njohur për stilin e tij të veçantë dhe këngën “Espresso Maçhiato”.
“Interesant është fakti që do të ketë shumë performanca këtë vit. Është menduar edhe për pjesën vizuale, do të ketë koreografi, do të ketë instrumente të traditës që do ngjiten në skenë, do të ketë të ftuar ndërkombëtar. Njëri prej tyre Tommy Cash, artisti i Estonisë që u bë fenomen me këngën “Espresso Maçhiato”. Është “Shkodra Elektronike” gjithashtu. Do të ketë edh enjë Post Festival, do jetë ndryshe nga si është konceptuar herët e kaluara. Është menduar një maratonë, do të jenë aty të gjithë artistët të cilët do të shprehin gjithë sa ka ndodhur në 4 netët e festivalit. Një tryezë e hapur për të gjithë që të shprehin çfarë shkoi dhe çfarë nuk shkoi”, tregoi gazetari Xhahu.
Në natën e tretë, e cila është nata e nostalgjisë, Antoneta Koçi tha se do të ketë interpretime të këngëve më të njohura të Festivalit ndër vite.
“Në natën e tretë do të ketë performanca nga artistët që janë në konkurrim, por edhe me artistë të herë, do vijnë në duete. Do të performohen këngët më të njohura të festivalit ndër vite”, theksoi ajo.
Një nga risitë e këtij edicioni është Post Festivali, i cili këtë vit do të vijë me një koncept tërësisht të ndryshëm. Xhahu shpjegoi se është menduar një maratonë ku do të marrin pjesë të gjithë artistët, të cilët do të diskutojnë hapur mbi përvojën e tyre në festival.
“Do të jetë një tryezë e hapur ku të gjithë do të shprehin çfarë shkoi dhe çfarë nuk shkoi. Një hapësirë reflektimi për katër netët e festivalit”, tha ai.
Në katër netët e Festivalit, në ekranin e RTSH 24, Andri Xhahu dhe Antoneta Koçi do të jenë me të gjithë artistët, duke përcjellë emocionet e tyre para dhe pas ngjitjes në skenë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




