Presidencialet në SHBA- Harris mbledh dy herë më shumë para se sa Trump

Botë | 2 vite më parë

Ekipi i fushatës së Kamala Harris njoftoi se kishte mbledhur 310 milionë dollarë në korrik, më shumë se dyfishi i fondeve të mbledhura nga Donald Trump, një shumë e mbledhur kryesisht që kur zëvendëspresidentja zëvendësoi Joe Biden në zgjedhjet e nëntorit.

Ndërsa financimi luan një rol thelbësor në fushatat amerikane, shpesh në shuma astronomike, kandidatja e re demokrate kishte mbledhur 200 milionë dollarë në më pak se një javë pas tërheqjes më 21 korrik të Joe Biden.

Ekipi i Kamala Harris “mblodhi 310 milionë dollarë në korrik, shuma më e madhe për zgjedhjet e 2024″, njoftoi ekipi në një deklaratë për shtyp.

”Ky grumbullim fondesh u ushqye nga muaji më i mirë i mbledhjes së fondeve nga donatorët e vegjël në historinë e zgjedhjeve presidenciale dhe përfaqëson më shumë se dyfishin e asaj që ngriti fushata e Donald Trump në të njëjtin muaj,” shtoi ai.

Ekipi i kandidatit republikan njoftoi në një deklaratë të enjten se kishte mbledhur 138,7 milionë dollarë në korrik, një shumë e konsiderueshme e mbledhur në muajin kur Donald Trump i mbijetoi një atentati dhe mori mbështetje triumfuese në konventën republikane.

Shumat marramendëse të fushatave presidenciale amerikane shpenzohen kryesisht për klipe shumë të shtrenjta që promovojnë rezultatet dhe premtimet e kandidatëve.

OJQ-ja ”Open Secrets”, e specializuar në financimin politik, vlerëson se zgjedhjet e 2024-ës mund të jenë më të shtrenjtat në historinë amerikane.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme