Presidenti Mattarella rikonfirmon mbështetjen e plotë të Italisë për Ukrainën

Presidenti italian, Sergio Mattarella, mirëpriti homologun ukrainas, duke theksuar miqësinë e madhe dhe mbështetjen e plotë të Italisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës.
“Qëndrimi ynë është dhe mbetet absolutisht i fortë,” deklaroi Mattarella, duke shprehur admirimin për qëndresën e popullit ukrainas. Ai shtoi se siguria ukrainase është e lidhur ngushtë me sigurinë evropiane dhe shpresoi për një hapje të shpejtë të negociatave.
Mattarella theksoi gjithashtu nevojën për të bërë më të vështirë anashkalimin e sanksioneve nga kompanitë private dhe përsëriti mbështetjen për pranimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian. Në takim i pranishëm ishte edhe Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani.
Më parë gjatë pasdites, mediat ukrainase raportuan se Zelensky u takua edhe me të dërguarin special të SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg. Ky takim vjen pas vendimeve të ndryshme të SHBA-së për furnizimet me armë për Ukrainën.
Papa Leo XIV i hapur për negociata paqeje në Vatikan
Volodymyr Zelensky u takua gjithashtu me Papa Leo XIV në Castel Gandolfo, në një takim që zgjati rreth 30 minuta. Vatikani, përmes një deklarate, riafirmoi gatishmërinë e Papa Leo XIV për të mirëpritur përfaqësuesit e Rusisë dhe Ukrainës për negociata paqeje.
Papa theksoi rëndësinë e dialogut si mënyra më e mirë për t’i dhënë fund armiqësive dhe shprehu keqardhjen për viktimat, duke rinovuar lutjet dhe afërsinë me popullin ukrainas. Ai inkurajoi çdo përpjekje për lirimin e të burgosurve dhe kërkimin e zgjidhjeve të përbashkëta.
Pas takimit, Zelensky falënderoi Papën dhe “Vatikanin” për ndihmën dhe mbështetjen, duke vënë theks të veçantë te kthimi i fëmijëve ukrainas të “marrë nga Rusia gjatë kësaj lufte”. ANSA
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




