Presidenti Meta vlerëson me titullin ‘Mjeshtër i Madh’, aktoren Elida Janushi

Presidenti Ilir Meta, vlerësoi sot me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’ aktoren Elida Janushi, si shenjë mirënjohje për të gjithë kontributin për artin dhe kinematografinë shqiptare. Në një postim në facebook, Meta thotë se Elida Janushi i përket një brezi të shquar artistësh të skenës dhe ekranit, të cilët shënuan një hop cilësor në interpretimin e roleve dhe figurave.
“I lumtur të vlerësoj një artiste shumë të dashur për publikun, aktoren e mirënjohur të skenës dhe filmit shqiptar, Elida Janushi. Falë talentit natyral dhe interpretimit të mrekullueshëm artistik, zërit potent e me shumë ngjyrë, galeria e dhjetëra roleve kryesore e të rëndësishme të interpretuara prej saj është e plotë dhe e larmishme. Por, një nga figurat më të dashura dhe më popullore, që kanë mbetur të ngulitura në kujtesën e spektatorit shqiptar, është ajo e gruas së Jovan Bregut në komedinë ‘Pallati 176’.
Elida Janushi i përket një brezi të shquar artistësh të skenës dhe ekranit, të cilët shënuan një hop cilësor në interpretimin e roleve dhe figurave, në dramën dhe kinematografinë shqiptare. Me mirënjohje për të gjithë kontributin e saj të vyer për artin dhe kinematografinë shqiptare dhe për realizimin e një sërë rolesh të spikatura, e nderova zonjën Elida Janushi me Titullin e lartë ‘Mjeshtër i Madh’” – shkruan Meta.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




