Prezantohet rregullorja e AKEP-it: Sala: Ndryshim i thellë në tregun e komunikimeve elektronike
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka prezantuar rregulloren e re për zbatimin e Regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm, duke sjellë një ndryshim të thellë në mënyrën se si rregullohet tregu i komunikimeve elektronike në Shqipëri.
Kuadri i ri vendos një regjim funksional autorizimi, ku theksi vihet te transparenca, kapacitetet reale operacionale, siguria e rrjeteve, si dhe mbrojtja e përdoruesve dhe e të dhënave personale.
“Ligji ka sjellë goxha risi, të cilat janë reflektuar në rregullore. Risi që lidhen me të drejtën e aksesit dhe të drejta të tjera. Kemi risi lidhur me infrastrukturën e rrjeteve elektronike të komunikimeve”, tha Elkeda Domi, Drejtore e Menaxhimit të Burimeve, AKEP.
Ndërkohë, rregullorja parashikon një periudhë kalimtare, ku të gjithë operatorët ekzistues duhet të ri-njoftojnë brenda 3 muajve për t’u pajisur me Certifikatën e re të Konfirmimit, çka pritet të sjellë një “pastrim” të regjistrit aktual.
“Disa kërkesa bazë dhe disa të dhëna që është detyrim ligjor t’i ofrohen, me kapacitete teknike që i kërkon ligji dhe jo AKEP. Ne kemi bërë një rregullore për ta zbërthyer atë”, tha Gentian Sala, Kryetar i Këshillit Drejtues, AKEP.
Ndryshimet e fundit kanë përafruar kuadrin shqiptar me Kodin Evropian të Komunikimeve Elektronike duke reflektuar zhvillimet e fundit në tregun digjital dhe nevojën për një rregullim më modern dhe funksional.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




