Procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK, mbrojtja e Thaçit paraqet sot deklaratat përmbyllëse

Kosovë | 9 muaj më parë

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të dëgjojë në ditën e tretë radhazi deklaratat përmbyllëse lidhur me procesin gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Ditën e sotme, do mbajë fjalën përmbyllëse ekipi i mbrojtjes së ish-komandantit të UÇK-së, Hashim Thaçi, i cili akuzohet për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë luftës në Kosovë.

Në fjalën përmbyllëse të mbajtur dy ditë më parë (9 shkurt) nga Kryeprokurorja e Dhomave të Specializuara në Hagë, Kimberly West, kjo e fundit kërkoi 180 vite burg në total për katër të akuzuarit, të cilat konsistojnë në 45 vite për secilin prej tyre. Sipas saj, Thaçi ka mashtruar ndërkombëtarët, duke shtuar se deklaratat e mbrojtjes lidhur me UÇK-në dhe ish-udhëheqësit e saj duhet të vlerësohen me rezervë.

Ndërkohë ditën e djeshme (10 shkurt) mbajti fjalën përmbyllëse, mbrojtësi i viktimave Simos Laws i cili deklaroi se ish-krerët e UÇK-së kanë kryer krime, por sipas tij “kjo nuk e bën atë organizatë kriminale”.

Ai theksoi se viktimat janë keqtrajtuar, e për pasojë, ndikimet psikologjike të asaj periudhe, janë ende të freskëta te ta. Ai tha se pret që në vendimin e trupit gjykues për këtë rast, të dëgjohet zëri i viktimave pjesëmarrëse.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.

Vetë ish-krerët e UÇK-së, kanë mohuar akuzat kundrejt tyre, duke i cilësuar si të pabaza.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ndaj tyre ka nisur më 3 prill 2023, gati tre vjet pas konfirmimit të aktakuzës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme