Program i ri studimi në universitetin e Korçës, “Data Science” në ciklin e parë të studimeve
Programi i ciklit të parë të studimeve Bachelor në “Matematikë–Informatikë” riorganizohet në programin e ri të studimit Bachelor në “Data Science”. Ky program i ri studimi, në universitetin Fan Noli të Korçës me kohëzgjatje 3 vite akademike dhe me 180 kredite, do të ofrohet në gjuhën shqipe dhe angleze, në formë studimi me kohë të plotë. Në përfundim të studimeve, studentët do të pajisen me diplomën “Bachelor në Data Science”.
Programi do të zhvillohet në Fakultetin e Shkencave Natyrore dhe Shkencave Humane, duke ofruar mundësi për të rinjtë që synojnë të jenë pjesë e transformimeve digjitale që po formësojnë të ardhmen.
“Është një degë ndërdisiplinare, mund ta shikojmë në këtë prizëm, ku përzihet statistika, programimi, inteligjenca artificiale, analiza e të dhënave dhe konkluzionet që lidhen me bazat e të dhënave, me big datat që kemi në dispozicion. Tani është një degë që i përgjigjet kohës. Pas diplomimit mund të punosh në fusha nga më të ndryshmet. Mund të punosh si programist kompjuteri, mund të punosh analizë të dhënash, mund të punosh në banka, në shtet, në organe, institucione shtetërore, inteligjencë artificiale, inxhinier të dhënash, inxhinier i inteligjencës artificiale, domethënë ka shumë punësime që janë të kërkuara kohët e fundit.” – u shpreh Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, Rektor i Universitetit “Fan Noli”, Korçë.
Ky riorganizim synon të përshtatë më mirë formimin universitar me kërkesat bashkëkohore të tregut të punës dhe zhvillimet e shpejta në fushën e teknologjisë së informacionit, analizës së të dhënave etj. Universiteti “Fan S. Noli” është i angazhuar për të ofruar programe studimi të orientuara drejt së ardhmes dhe aftësive praktike që kërkohen sot në tregun e punës.
Gazetare: K. Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




