Projektvendim i ri- Mbrojtja nga sulmet hibride, spiunazhi dhe dezinformimi, qeveria vendos “filtër” për investimet e huaja

Një projektvendim i ri i propozuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit (MEI), parashikon ngritjen e barrierave mbrojtëse ndaj kapitaleve të huaja që mund të cenojnë infrastrukturën kritike, të dhënat sensitive apo lirinë e medias.
Relacioni që shoqëron projektvendimin shpjegon se “ndryshimi vjen si pasojë e evoluimit të rreziqeve globale”. Në dokument theksohet se sulmet kibernetike, fushatat e dezinformimit dhe rrjedhja e të dhënave personale, po përdoren gjithnjë e më shumë si “kërcënime hibride”.
Një vëmendje specifike në këtë projektvendim i kushtohet sektorit të medias.
“Përballë investimeve të huaja, ky sektor duhet të trajtohet me kujdes të veçantë… në mënyrë që investimet të mos kthehen në burim ndikimi të dëmshëm për shoqërinë,” thuhet në relacion.
Me hyrjen në fuqi të këtij projektvendimi, do të ngrihen dy mekanizma të rinj që do të veprojnë si ruajtës të ekonomisë strategjike si Këshilli për shqyrtimin e IHD-ve, një organ kolegjial vendimmarrës dhe Struktura përgjegjëse në MEI, një njësi e specializuar për analizën teknike të investitorëve.
“Kjo nismë është edhe një detyrim në kuadër të integrimit evropian. Projektvendimi është pjesë e “Kapitullit 30” të negociatave dhe synon të linjëzojë ligjet shqiptare me Rregulloren (BE) 2019/452.”, theksohet në relacionin shoqërues.
Drafti pritet të kalojë për konsultim në të gjitha ministritë, përfshirë shërbimet inteligjente dhe ato të sigurisë financiare, para se të kalojë në qeveri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




