Prokuroria Tiranë dërgon në gjyq 6 persona – Dërgonin emigrantë të paligjshëm në SHBA për 35 mijë euro
Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dosjen penale ndaj Hazir Maçit, Lejla Maçit, Çerkez Nikoçit, Ardjan Piranit, Alfred Maçit dhe Endrit Nezajt, të akuzuar për organizimin dhe realizimin e kalimeve të paligjshme drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë, kundrejt pagesave që arrinin deri në 35 mijë dollarë për person.
Sipas njoftimit zyrtar, Hazir Maçi, i hetuar edhe më herët për të njëjtën veprimtari kriminale, ka qenë drejtuesi i skemës, të cilën e ka menaxhuar edhe nga ambientet e paraburgimit të Fushë-Krujës, përmes komunikimeve telefonike. Itinerari i ndjekur niste nga Shqipëria, vijonte në disa vende të Europës, më pas drejt Republikës Domenikane dhe, me dokumente të falsifikuara, drejt Kanadasë ose SHBA-ve, përmes Porto Rikos.
Lejla Maçi, bashkëshortja e tij, shoqëronte personat që kishin paguar për udhëtimin e paligjshëm, ndërsa Ardjan Pirani, vëllai i saj, merrej me porositë përmes linjave të transportit Tropojë–Tiranë. Endrit Nezaj, i punësuar në një agjenci turistike, ka ndihmuar duke siguruar dokumente model, ndërsa Çerkez Nikoçi akuzohet për transportin e dokumenteve të falsifikuara. Alfred Maçi dyshohet se ka vënë në dispozicion pasaportën e tij britanike për prodhimin e dokumenteve false.
Tre prej të akuzuarve u arrestuan më 11 shtator 2025, ndërsa ndaj të gjithë personave rëndojnë akuza për falsifikim dokumentesh dhe ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve.
Gazetare: Lusi Përgjegji
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



