Protesta/ Berisha: Samiti, mbështetje për shqiptarët, Rama i padenjë të na përfaqësojë! Po planifikon spastrimin etnik të shqiptarëve

Me mirënjohje dhe falënderime për liderët e vendeve të BE e ka nisur kreu i PD-së, i zgjedhur nga Komisioni i Rithemelimit, Sali Berisha, fjalën në protestën e thirrur prej tij. Teksa e konsideroi mbajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë si një mbështetje për shqiptarët, Berisha theksoi se, sipas tij, përfaqësuesi i vendit tonë nuk duhej të ishte kryeministri Edi Rama.
Ai e akuzoi kreun e qeverisë shqiptar për korrupsion dhe se ka vjedhur votën e lirë në vend, teksa shtoi se Rama “duhej të ishte sot pas hekurave”. Duke iu përgjigjur akuzave të maxhorancës, që e konsideruan protestën si reagim kundër BE, Berisha tha se qëllimi i tyre është që shqiptarëve t’u dëgjohet zëri.
“Në emrin tuaj më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen në Tiranë shtetarëve në të lartë të vendeve të BE dhe vendeve fqinje. Është rast i veçantë t’u shprehim atyre, PE dhe KE mirënjohjen tonë të pakufishme për ndihmën e gjithanshme. Prania e qeveritarëve më të lartë të vendeve anëtare të BE është mbështetja më e madhe që vlerat europiane kanë marrë në vendin tonë. Ky Samit është mbështetje e madhe për shqiptarët që e konsiderojnë anëtarësimin në BE si të ardhme më të mirë. Është mbështetje për PD që në betejën për vlerat europiane përmbysi diktaturën komuniste, anëtarësoi Shqipërinë në KE, në NATO, mori rekomandimin e statusit kandidat. Të gjithë ne jemi mirënjohës me nderin e madh që iu bë Shqipërisë sot këtu duke zgjedhur Tiranën për këtë Samit, por jemi fatkeq për shkak se përfaqësohemi në këtë Samit nga njeriu që duhej të ishte sot para drejtësisë. Ndihemi fatkeq sepse pushteti i atij që na përfaqëson qëndron mbi krimin elektoral. Sot është dita që Europa dhe bota kanë mundësi të njihen me të vërtetat e Shqipërisë. Ky Samit është mundësi e artë që shqiptarëve t’u dëgjohet zëri. Ne nuk jemi këtu në një manifestim festiv, por në një protestë me qëllimin madhor që sot të jehojë para liderëve të vendeve europiane. Nuk mund të pranonim që ky Samit të konsiderohet si mbështetje për qeverinë e Ramës, siç po e paraqet ai. Shqipëria është sot në rrezik ekzistencial. Ata që i vjedhin një populli votën, i vjedhin të ardhmen. Në të shkuarën tonë, ne të gjithë votonim çdo 4 vite, por dallimi mes nesh dhe njerëzve të lirë ishte si dallimi mes natës dhe ditës”, tha Berisha.
Ai u ndal edhe te largimi i shqiptarëve jashtë vendit, teksa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka në plan shpopullimin e vendit. Sipas Berishës, shqiptarëve po u bëhet “spastrim etnik”, duke premtuar se Partia Demokratike do ta “shpëtojë Shqipërinë”.
“Vota e njerëzve të lirë prodhonte shtet ligjor, të ardhme, ndërsa tek ne, në diktaturë votimi ynë ishte thjesht funeral. Vota jonë kishte vdekur para se ta hidhnim në kutitë e votimit. Pas dekadash, në sistemin e votës së vdekur në vitin 1991 ne e përmbysëm atë, por dolëm si njerëz të uritur dhe u ‘derdhëm’ në dete për të shpëtuar. Sot ne paraqitemi përsëri para Europës si “njerëzit e varkave”, por sot shkaku nuk është tirania e mjerimi, por i lidhur si atëherë me votën e vdekur, të vjedhur nga Edi Rama. Europa dhe bota dëgjuan sesi pak muaj më parë, hakerat hakërruan sistemin e të dhënave të qytetarëve nga databezi i qeverisë shqiptare. Ata vetëm përsëritën veprimin e Ramës që hakeroi të dhënat e qytetarëve dhe pajisi me to patronazhistët, për të mbjellë terror. Në këtë vend të varfë vota blihet edhe me 500 narko-euro. Në këtë vend me narko-euro blihet çdo gjë përfshirë dhe atë që kishin planifikuar për ditën e sotme. Sot është vendosur monizmi i plotë njeriu që përfaqëson Shqipërinë në këtë Samit, kontrollon të gjitha pushtetet. Të zotohemi se pa votën e lirë nuk do ketë stabilitet në Shqipëri. Rama është i padenjë të qëndrojë sot në atë Samit. Shqiptarëve po u bëhet spastrim etnik në proporcionet e një gjenocidi të vërtetë. Ne do ta shpëtojmë Shqipërinë. Unë kam qenë kryeministër i Shqipërisë dhe kjo nuk mund të ndodhë pa një platformë të qartë kushtesh të planifikuara. As në skenar lufte nuk ndodh kjo”, u shpreh ai.
Berisha pati një komunikim për mediat edhe para selisë blu, ku premtoi vijimin e aksionit të nisur prej tij , për të rrëzuar nga pushteti Ramën.
“Nuk ka forcë në botë që ne të na mposhtë dhe të na ndalojë për të përmbushur qëllimet tona. Mbetemi të pamposhtur. Të frymëzuar të gjithë nga ky akt guximi, do vazhdojmë betejën tonë kundër armi9kut më të egër pas Enver Hoxhës që shqiptarët kam patur në historinë e tyre. Atë që po bën Edi Rama me shqiptarët, nuk e ka bërë asnjë pushtues, nuk e bën sot asnjë udhëheqës në botë. Jemi misionar të shpëtimit të vendit tonë, të çlirimit të shqiptarëve nga kjo monstër që nuk njeh moral e ligj. Beteja të mëdha na presin përpara dhe ju siguroj që ne do fitojmë”, tha ish-kryeministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




