Protesta hyn në ditën e 56-të, qytetarët protestojnë para Kryeministrisë
Protesta në Tiranë ka hyrë në ditën e 56-të radhazi, ku qytetarët janë mbledhur për të protestuar para godinës së Kryeministrisë.
Grumbullimi i qytetarëve ka nisur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, prej nga është zhvilluar një marshim përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, me destinacion godinën e Kryeministrisë.
Gazetarja e RTSH, Flutura Tota, e cila ndjek nga afër protestën në një lidhje të drejtpërdrejtë me RTSH-24 theksoi se “Protestuesit janë mbledhur në sheshin ‘Skënderbej’ për të zhvilluar protestën e tyre të 56-të. Si çdo ditë, pritet që ata të zbresin në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për të mbajtur protestën e përditshme. Situata deri në këto momente duket e qetë. Njëri krah i bulevardit është bllokuar nga policia për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Parashikohet një protestë e qetë, si ato të ditëve të mëparshme.”
Më tej, ajo duke ndarë detaje për RTSH, shtoi se “Janë vendosur karrige përpara Kryeministrisë, të cilat hiqen sapo nis tubimi, ashtu siç ka ndodhur në 55 ditët e shkuara. Protestuesit pritet të dëgjojnë fjalimet, ku si çdo ditë fillohet me himnin kombëtar. Organizatorët kanë deklaruar se nuk do të ketë ndryshime në itinerar. Ka një listë me persona që duan të flasin, por mikrofoni mund të merret edhe nga të tjerë që duan të japin mesazhet e tyre. Pas fjalimeve, masa e protestuesve do të marshojë në rrugët e qytetit, duke përsëritur itinerarin e ditëve të mëparshme. Mesazhet e tyre janë kundër klasës politike dhe për një Shqipëri të re.”
Sa i takon prezencës së policisë, gazetarja raportoi se “Efektivët e Policisë së Shtetit janë vendosur pranë hyrjes së Kryeministrisë për të garantuar mbarëvajtjen e protestës. Garda e Republikës nuk ka vendosur barriera metalike në derën kryesore, pasi nuk është parë e nevojshme. Policia e Tiranës është në krye të planit të masave për të siguruar që protesta të vijojë pa probleme dhe pa konflikte.”
Gjatë marshimit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit, protestuesit kanë ripërsëritur kërkesat e tyre kryesore: formimi i një qeverie të re, një pakt i ri me qytetarët, dorëheqja e qeverisë aktuale, si dhe ndryshimi i disa ligjeve kryesore.
Sipas asaj që raporton gazetarja e RTSH, mësohet se më 27 korrik pritet të zhvillohet një protestë paradite përpara Parlamentit, ku qytetarët do të mblidhen për të vijuar me tubimin e tyre të përditshëm.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




