Protesta për Zvërnecin, Rama: Zhvillim turistik i bregdetit, u bë qendra e një stuhie digjitale
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, u ndal tek protestat e fundit që po mbahen në vend kundër ndërtimeve në zonën e Zvërnecit. Sipas tij, projekti ka rëndësi të veçantë për Europën, ndërsa shprehet se debati publik që ka shpërthyer rreth tij ka nxjerrë në pah sfidat e besimit demokratik.
Kreu i qeverisë e cilësoi lirinë e shpërndarjes së pakontrolluar të informacionit të rremë si një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë dhe sovranitetin e shteteve demokratike, duke e ndarë atë qartësisht nga e drejta thelbësore e lirisë së fjalës.
“Sot gënjeshtrat udhëtojnë shumë më shpejt se faktet. Algoritmet shpërblejnë zemërimin shumë më bujarisht se të vërtetën, sepse e vërteta është e mërzitshme, kurse gënjeshtrat janë argëtuese.”
Për të ilustruar këtë fenomen, Rama solli si shembull një debat të fundit mbi një projekt turistik në bregdetin shqiptar, i cili prodhoi një “stuhi digjitale” të mbështetur në teori konspirative dhe akuza të pafaktuara, përpara se faktet zyrtare të mund të shqyrtoheshin. Ai i bëri thirrje Europës që krahas investimeve në mbrojtjen ushtarake, të krijojë urgjentisht një “mburojë” kundër manipulimit algoritmik të perceptimit publik.
“Evropa nuk ka nevojë vetëm për mburojë kundër raketave, ka nevojë edhe për një mburojë për epokën e algoritmeve.”
“Një propozim për zhvillim turistik në bregdetin e Shqipërisë u bë befas qendra e një stuhie digjitale ndërkombëtare. Katastrofa mjedisore u paraqit si fakt i provuar. Korrupsioni u shpall i vërtetuar përpara se të ekzistonte ndonjë provë. Teoritë konspirative u shumëfishuan orë pas ore. Pretendimet u bënë tituj. Titujt u bënë të vërteta. Të vërtetat u bënë dogma dhe kushdo që kërkonte prova trajtohej si i dyshuar. E përmend këtë jo sepse vetë projekti ka rëndësi për Europën. Ka, por sepse ajo që ka edhe më shumë rëndësi është ajo çka zbuloi ky episod. Indinjata prodhoi miliona shikime përpara se faktet të kishin mundësi të flisnin. Narrativat bënë xhiron e botës përpara se procedurat e dokumentuara të mund të qarkullonin në një kanal të vetëm. Ky nuk është më një fenomen shqiptar. Është fenomen evropian. Fenomen amerikan. Fenomen demokratik dhe nëse demokracitë dështojnë të mbrojnë dallimin mes fakteve dhe trillimeve, mes shqyrtimit të fakteve dhe histerisë, mes kritikës dhe linçimit digjital, ato do të humbasin, herët a vonë, diçka shumë më të vlefshme se çdo argument politik. Besimin se demokracia ia vlen dhe kur besimi zhduket, institucionet ndryshojnë vetë fiziologjinë e tyre. Kur institucionet ndryshojnë në vetë fiziologjinë e tyre, politika kryesore humbet legjitimitetin. Kur legjitimiteti gërryhet, demagogët lulëzojnë. Qendra zhduket. Skajet zgjerohen. Politika kthehet në një garë përshkallëzimi, jo në kërkim zgjidhjesh., tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




