Protesta me molotov e opozitës, nën hetim Noka, Bardhi dhe Minarolli. 1 i arrestuar, 9 në kërkim

Një person është arrestuar dhe 3 të tjerë janë nën hetim për akte dhune dhe vandalizëm në protestën e djeshme (7 tetor) të opozitës. Gjithashtu 9 persona janë ende në kërkim për prishje të qetësisë publike, goditjet për shkak të detyrës dhe shkatërrim të pronës.
Policia e Tiranës po heton në gjendje të lirë edhe deputetët Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi si dhe sekretarin organizativ të PD, Ervin Minarolii, për veprën “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Konkretisht në pranga përfundoi 57-vjeçari Xh.Rr për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, ndërsa po procedohen në gjendje të lirë F. D., 31 vjeç, dhe 2 shtetas të mitur të moshave 16 dhe 17 vjeç. Gjithashtu, po punohet për kapjen e shtetasve K. K., 43 vjeç, M. T., 24 vjeç, I. T., 49 vjeç, A. P., 46 vjeç, S. B., 49 vjeç, D. N., 62 vjeç, K. B., 22 vjeç, H. V., 68 vjeç, dhe e një shtetasi të mitur 17 vjeç, për “Goditjet për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Sipas policisw protestuesit “kanë shkatërruar pronën private dhe publike, kanë hedhur lëndë djegëse shpërthyese dhe sende të forta në drejtim të punonjësve të Policisë dhe të godinave të institucioneve publike. Gjithashtu kanë dëmtuar tabelat e reklamave dhe kanë djegur kazanët e mbeturinave”.
Nga protesta e opozitës më 7 tetor për shkak të hedhjes së molotovëve dhe lëndëve piroteknike janë plagosur 10 efektivë, nga të cilët 3 vijojnë të jetën ende në spital jashtë rreziku për jetën.
Në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar: 68 mbetje flakadani të plasur; 23 copa plastike të shisheve të djegura; 3 shishe plastike uji; 3 tymuese të plasura; 1 shishe 0.5 litër me lëndë djegëse me lëndë piroteknike të paplasur; 1 çantë me ngjyrë të zezë me 8 shishe plastike 0.5 litër me lëndë djegëse (molotovë); 1 kuti cilindrike bombol; 2 çanta me 17 bidonë 0.5 litër me lëndë të dyshuar djegëse bashkëlidhur lëndë piroteknike të paplasur (molotovë).
Opozita protestoi për 3 orë, ku u hodhën molotov te Kryeministria dhe më pas në selinë e PS-së. Si pasojë u plagosën disa efektivë të policisë.
Mosbindja civile e opozitës vijoi drejt Ministrisë së Brendshme, Bashkisë së Tiranës dhe Parlamentit, ku sërish u hodhën flakadanë dhe bomba molotov dhe nga ana tjetër policia ju përgjigj me gaz lotsjellës. Marshimi përfundoi në selinë e PD ku sekretari i përgjithshëm Flamur Noka, deklaroi se 7 tetori ishte vetëm hapi i pare i mosbindjes civile.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




