Protesta në Mal të Zi/ Berisha: Qytetarët dolën kundër Ballkanit të Hapur

Protestën e mbajtur nga qytetarët në Mal të Zi, kreu i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha e ka lidhur me Ballkanin e Hapur. Sipas tij, qytetarët protestuan kundër asaj që ai e cilëson si aleanca përçarëse trilaterale e serbomadhit Vuçiç dhe vasalëve të tij në Tiranë dhe Shkup. Për Berishën, ky projekt ka për qëllim vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon.
“Qytetarët e Malit të Zi ishin dje në darkë në protestë të fuqishme në Podgoricë kundër Ballkanit të Hapur, aleancës përçarëse trilaterale të serbomadhit Aleksandar Vuçiç dhe vasalëve të tij në Tiranë dhe Shkup. Ky projekt, që ka si qëllim madhor vendosjen e hegjemonisë serbe dhe influencës ruse në rajon, mbështetet haptas nga diktatori Vladimir Putin dhe ministri i tij Lavrov. Ky projekt mbështetet gjithashtu edhe nga George dhe Aleks Soros, i kundërvihet procesit të Berlinit dhe mbjell sherr e konfliktualitet në rajonin tonë”, tha Berisha teksa ka shprehur më tej mbështetjen e Partisë Demokratike ndaj qytetarëve të Podgoricës.
“Partia Demokratike e Shqiperisë përshëndet dhe mbështet plotësisht protestat e qytetarëve të Podgoricës kundër Ballkanit të Hapur dhe paralajmëron Edi Ramën dhe padronin e tij Vuçiç se nuk do të pranojë samite të kësaj nisme destabilizuese në Shqipëri. Mbështetje të plotë qytetarëve të Malit të Zi”, shkruan Berisha në rrjetin social Facebook.
Për të tretën herë gjatë këtij muaji, para Parlamentit të Malit të Zi u mbajt protestë me sloganin “Ne ekzistojmë”, ku morën pjesë mijëra qytetarë të cilët kërkojnë tërheqjen e amendamenteve të Ligjit për presidentin, zhbllokimin e Gjykatës Kushtetuese si dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




