Protestat kundër politikës zero-COVID, SHBA dhe Kanada thirrje Kinës: Të mos lëndohen protestuesit

Pas protestave që shpërthyen në Kinë kundër politikës zero-COVID, SHBA dhe Kanadaja kanë bërë thirrje që të mos dëmtohen apo frikësohen protestuesit. Zëdhënësi i Sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, shprehu mbështetjen e SHBA ndaj protestuesve paqësorë.
“Ne nuk duam që protestuesit të lëndohen fizikisht, të frikësohen apo të detyrohen në asnjë mënyrë. Kjo është ajo që ka të bëjë me protestën paqësore dhe kjo është ajo për të cilën ne kemi vazhduar të ngrihemi nëse është në Kinë apo Iran apo gjetkë nëpër botë…”, tha ai.
Ndërsa Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, u shpreh se të gjithë në Kinë duhet të lejohen të protestojnë dhe të gëzojnë lirinë e shprehjes.
“Të gjithë në Kinë duhet të lejohen të shprehen, duhet të lejohen të ndajnë perspektivat e tyre dhe në të vërtetë të protestojnë. Ne do të vazhdojmë të sigurojmë që Kina ta dijë se ne do të mbrojmë të drejtat e njeriut, ne do të qëndrojmë me njerëzit që po shprehen”, tha Trudeau.
Banorët në disa qytete të mëdha në Kinë u ngritën në protestë ndaj masave kufizuese të vendit për koronavirusin. Tensione dhe përleshje pati mes qytetarëve dhe policisë ndërsa protestuesit bënin thirrje për largimin e Xi Jinping nga posti i presidentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




