PS feston 34-vjetorin, Rama: Dhurata më e bukur, mbështetja e mbi 856 mijë qytetarëve për Shqipërinë 2030

Partia Socialiste e Shqipërisë feston sot 34-vjetorin e themelimit të saj. Kryeministri, njëherazi kryetari i PS, Edi Rama, ka uruar anëtarët dhe mbështetësit e partisë me një mesazh në rrjetet sociale, të shoqëruar me një fotografi të trëndafilit, simbolin e kësaj force politike.
Sipas tij, mbështetja masive në zgjedhjet e 11 majit përbën dhuratën më të bukur për këtë përvjetor të PS-së.
“Mirëmëngjes dhe me këtë simbol të flamurit të socialistëve e progresistëve shqiptarë, që në këtë 34-vjetor të valëvitjes së tij është ngjitur më lart se asnjëherë, falë 856 mijë e 177 zemrave që u bënë bashkë për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj gëzuar ditëlindjen e Partisë Socialiste të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe politike, si edhe një ditë të mbarë të gjithë të tjerëve pa përjashtim”, shkruan Rama.
Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991, gjatë Kongresit të 10-të të Partisë së Punës së Shqipërisë, kur lidershipi i kohës vendosi rithemelimin e partisë mbi parime të reja demokratike. Me këtë vendim, u shpërbë Byroja Politike dhe u zgjodh një kryetar i ri Fatos Nano.
Në vitin 2005, pas dorëheqjes së Nanos, kryetar i PS-së u zgjodh Edi Rama. Prej vitit 2013, Partia Socialiste është në pushtet dhe vijon të qeverisë vendin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



