Psikologët në qendrat shëndetësore – Të moshuarit, përfituesit kryesorë të shërbimit
Shërbimi psikologjik që ofrohet në qendrat shëndetësore është kthyer në një ndihmë të vyer për qytetarët, me një numër gjithnjë e në rritje personash që kërkojnë mbështetje për përballimin e vështirësive emocionale.
Pjesën më të madhe të atyre që marrin këtë shërbim e përbëjnë të moshuarit, por nuk mungojnë edhe rastet kur pranë këtij shërbimi drejtohen fëmijët dhe të rinjtë, për çështje që lidhen me ankthin, vështirësitë në komunikim, apo probleme të tjera të zhvillimit emocional dhe social.
“Pjesa më e madhe që vijnë të marrin shërbimin është kryesisht mosha e tretë, por nuk mungojnë edhe mosha e rritur apo fëmijë që vijnë të rekomanduar nga mjeku pediatër apo dhe nga prindërit e tyre”, tha punonjësi social, Albert Çepi.
Sa i përket të moshuarve problem kryesor i tyre është vetmia, një realitet i shpeshtë që çon drejt gjendjeve të ankthit dhe depresionit.
“Vetmia sjell edhe probleme të tjera që lidhet me ankthin, depresionin. Me marrjen edhe të shërbimeve të tjera të nevojshme, por duke qenë vetëm nuk kanë motivimin e duhur dhe e kanë të vështirë për të lëvizur”, tha ai.
Në një kohë kur sfidat mendore janë të pranishme në çdo moshë, mbështetja profesionale në qendrat shëndetësore mbetet një hallkë kyçe për një shoqëri më të shëndetshme.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




