Punësimi i të rinjve, Zyrat e Punës ndihmuan 40% të të rinjve deri në 29 vjeç që aplikuan në 2024

Sociale | 1 vit më parë

Interesi i të rinjve që u drejtohen Zyrave të Punës ka ardhur në rritje.

Gertiola Çepani, drejtoreshë e Shërbimeve të Tregut të Punës, thekson se viti 2024 ka shënuar një numër të lartë punësimesh në radhët e të rinjve deri në 29 vjeç, ndërsa programet e kodimit mbeten më të suksesshmet.

“Punësimi apo pjesëmarrja e tyre në kurset e formimit profesional, në programet e nxitjes së punësimit apo integrimin direkt në tregun e punës është goxha më i rritur. Kanë kërkesa për disa nga fushat kryesore, siç është hoteleri-turizmi, teknologjia e informacionit dhe komunikimit, ndërtimi, shërbime. 40% e gjithë punësimeve që kemi kryer në vitin 2024 janë të rinj. Programi i kodimit ka qenë ndër më të suksesshmit për të rritur aftësitë digjitale të të rinjve – mbi 90% janë të rinj,” tregon znj. Çepani.

Format e aplikimit janë të ndryshme dhe kriteret përcaktohen nga kompanitë që kërkojnë forca të reja pune.

“Nuk kemi vetëm paraqitjen fizike në Zyrat e Punës, por gjithë personat që duan, sidomos të rinjtë që kanë edhe aftësi digjitale, mund të aplikojnë në portalin e punësimit puna.gov.al, të kryejnë aplikimin nëpërmjet shërbimeve online që lidhen me portalin qeveritar e-albania dhe menjëherë do të kontaktohen nga Zyra e Punës për të vazhduar më tej procedurat. Ndërkaq në portalin e punësimit, të gjithë të rinjtë, duke hapur llogarinë e tyre, mund të aplikojnë direkt për vendet e lira të punës pa ndërmjetësimin e Zyrave të Punës,” thotë drejtoresha e Shërbimeve të Tregut të Punës.

Grupmosha më e vështirë për punësim është ajo mbi 50 vjeç, kjo e lidhur me interesin e ulët që kanë kompani të ndryshme për të punësuar apo rikualifikuar persona të kësaj grupmoshe.

Ndërsa sektorët kryesorë ku është i targetuar ky grup janë tregtia, akomodimi ushqimor dhe industria përpunuese.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme