Punësimi në qarkun Gjirokastër, 800 vende të lira pune në turizëm dhe fasoneri
Gjatë këtij 9 mujori , Agjencia Rajonale e Punësimit në Gjirokastër vijon ndërmjetësimet mes punëkërkuesve dhe bizneseve, duke shënuar rritje të punësimeve kryesisht në sektorin privat. Sipas të dhënave zyrtare, janë realizuar rreth 267 punësime, në sektorë si turizmi, fasoneria, shërbimet dhe aktivitete të tjera private që kërkojnë fuqi punëtore.
“Kemi realizuar ndërmjetësime 267 deri më tani. Normalisht jemi në realizim të objektivave vjetorë. Patjetër që sektorët që janë më të suksesshëm në një qytet si Gjirokastra, është sektori i turizmit, sektori përpunues, rrobaqepësia”, deklaroi Marseda Xarba, Drejtoresha e Agjencisë Rajonale të Punësimit në Gjirokastër.
Drejtoresha e Agjencisë Rajonale të Punësimit në Gjirokastër, Marseda Xarba, sqaron se aktualisht janë të regjistruara rreth 800 vende të lira pune, ndërsa në bazën e të dhënave figurojnë rreth 700 të rinj të regjistruar si punëkërkues. Megjithatë, procesi përballet edhe me refuzime nga ana e aplikantëve, kryesisht për shkak të pritshmërive për një punësim ndryshe, apo interesit për t’u përfshirë në sektorin shtetëror më shumë sesa në atë privat.
“Kemi vende të lira të shpallura, më shumë se 800. Por ndërkohë, përpos 267 për të cilat është bërë ndërmjetësim nga zyra e punës, kemi dhe 700 persona të cilët kanë gjetur vetë nga këto vende të lira të shpallura pranë zyrave tonë”, tha ajo.
Sipas saj, agjencia vijon përpjekjet për orientimin e të rinjve drejt tregut të punës në Qarkun e Gjirokastrës.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




