Putin dhe ministri i Jashtëm i Turqisë diskutojnë rreth përpjekjeve të paqes në Ukrainë

Presidenti rus Vladimir Putin dhe ministri i jashtëm turk në një takim në Moskë diskutuan përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe zhvillimet që nga bisedimet e drejtpërdrejta midis palëve ndërluftuese, raportoi Reuters , duke cituar një burim nga Ministria e Jashtme turke.
Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, është në vizitë dyditore në Moskë, ku burimi i Reutersit bëri të ditur se ai u takua të hënën me Putinin dhe po ashtu me udhëheqësin e delegacionit rus, Vladimir Medinsky. Fidan do të takohet gjithashtu me homologun e tij rus, Sergey Lavrov, gjatë të martës (sot).
Përderisa asnjë afat kohor ose vendndodhje nuk është konfirmuar ende për bisedimet e ardhshme mes Rusisë dhe Ukrainës, pala turke ka përsëritur në vazhdimësi se është e gatshme t’i organizojë prapë ato.
Delegatët nga Moska dhe Kievi u takuan në Stamboll para dy jave, për herën e parë që nga marsi i vitit 2022, një muaj pasi Rusia kishte filluar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës. Si përfundim, s’pati asnjë dakordim për armëpushim të plotë e pa kushte, porse palët u pajtuan që të shkëmbejnë nga 1,000 të burgosur të luftës.
Në kuadër të takimit mes tyre, Putini dhe Fidani diskutuan mbi “nismat e ndërmarra së fundmi për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe zhvillimeve që i pasuan negociatat e mbajtura në Stamboll”.
Çështjet në sferën ekonomike dhe energjetike u diskutuan po ashtu, ka shtuar burimi i Reuters.
Para mbajtjes së takimit, burimi pati bërë të ditur se Fidani do të ritheksonte ofertën e Ankarasë zyrtare për mbajtjen e bisedimeve të reja në territorin turk dhe për të vazhduar me rolin ndërmjetësues në bisedime.
Fidan pritet të udhëtojë drejt kryeqytetit ukrainas të Kievit gjatë javës për t’u takuar me zyrtarë ukrainas.
Nga ana tjetër, burimet ruse kanë raportuar se Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Katari e Omani shihen si “vende potencialisht të përshtatshme” për zhvillimin e bisedimeve të reja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




