Putin nënshkruan për reciprocitet, miraton dekretin për konfiskimin e aseteve amerikane në Rusi

Botë | 2 vite më parë

Përmes një lëvizjeje reciproke, presidenti rus, Vladimir Putin, nënshkroi këtë të enjte një dekret që i mundëson shtetit të tij të përdorë asetet, letrat me vlerë dhe pronat që i përkasin Shteteve të Bashkuara apo shtetasve amerikanë, që gjenden në Rusi. 

Këto asete, sipas dekretit, do të përdoren për të kompensuar dëmet e shkaktuara nga konfiskimi i aseteve dhe pronave të pasanikëve rusë dhe Bankës Qendrore ruse në SHBA. Muajin e kaluar presidenti amerikan, Joe Biden, nënshkroi një ligj që i mundëson Uashingtonit të konfiskojë rreth 5 miliardë dollarë asete ruse në SHBA. Ky legjislacion është përfshirë në paketën e ndihmës që SHBA-ja i ka dhënë Ukrainës, Izraelit dhe Tajvanit.

Edhe Bashkimi Evropian ka miratuar një vendim që i mundëson bllokut të përdorë asetet e ngrira të Bankës Qendrore ruse, që gjenden në BE.  Brukseli ka thënë se përfitimet nga këto asete do të përdoren për të ndihmuar ushtrinë e Ukrainës, e cila po përballet me pushtimin e nisur nga Rusia më 2022. Rreth 210 miliardë euro në asete që i përkasin Bankës Qendrore të Rusisë janë ngrirë nga BE-ja.Kjo shumë vlerësohet se gjeneron interes prej rreth 3 miliardë eurosh në vit.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme