“Qershi dhe dashuri”, festa që promovon prodhimet vendase në Godolesh
Festa “Qershi dhe Dashuri” ka sjellë sërish jetë dhe emocione në zemër të Godoleshit. Nën hijen e pemëve të qershisë, banorë të zonës dhe vizitorë nga qytete të ndryshme u bashkuan për të festuar, për të shijuar produkte bio, e për të ruajtur lidhjen e fortë me traditën.
Panairi i produkteve vendase ishte kryefjala e ditës, ku qershia simboli i kësaj treve ishte e pranishme në çdo formë: e freskët, e përpunuar, në reçel e deri te likeret artizanale.
Fermerët e Godoleshit u shprehën të kënaqur me cilësinë dhe kërkesën e tregut këtë vit, ku çmimi për kilogram ka arritur në 300 lekë një vlerësim për punën dhe përkushtimin e tyre. Veshjet popullore, gatimet karakteristike të zonës, muzika folklorike e kthyen festën në një mozaik emocionesh dhe kujtimesh.
Banorët shprehën mirënjohje për organizimin, duke kërkuar më shumë aktivitete të tilla gjatë vitit, që ndihmojnë në promovimin e zonës dhe fuqizimin e identitetit kulturor.
Festa “Qershi dhe Dashuri” është kthyer tashmë në një traditë vjetore, që bashkon kulturën me zhvillimin lokal dhe mbjell shpresë për një të ardhme më të qëndrueshme në zonat rurale të Shqipërisë.
Gazetar: E.Molla
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




