Qeveria miraton projektligjin për vullnetarizmin, ja rregullat dhe qëllimi i tij

Politikë | 1 vit më parë

Qeveria ka miratuar ditën e sotme projektligjin për vullnetarizmin. Projektligji parashikon rregullat për kryerjen e vullnetarizmit, të drejtat dhe detyrimet e vullnetarëve e të ofruesve të vullnetarizmit, kontratën e vullnetarizmit, organet shtetërore përgjegjëse dhe mekanizmat për nxitjen, mbështetjen e mbikëqyrjen e vullnetarizmit në të gjithë vendin.

Neni 2 i këtij projektligji shpjegon edhe qëllimin e tij, ku theksohet se ky ligj ka për qëllim “të krijojë një kuadër rregullator e institucional të favorshëm për kryerjen e vullnetarizmit dhe nxitjen e pjesëmarrjes së individëve në vullnetarizëm, zhvillimin e vlerave njerëzore dhe solidaritetin shoqëror”.

Gjithashtu, bëhet e ditur se ligji për vullnetarizëm do të zbatohet për të gjitha subjektet që kryejnë, ofrojnë ose përfitojnë vullnetarizëm në Republikën e Shqipërisë;  vullnetarizmin afatgjatë dhe afatshkurtër. Ndërsa tregon edhe kategoritë e punëve apo detyrave që nuk janë pjesë e vullnetarizmit.

Më tej theksohet edhe përkufizimi i termit vullnetarizëm në këtë projektligj sipas të cilit vullnetarizëm “është investimi me vullnet të lirë i kohës, i njohurive dhe i aftësive vetjake në kryerjen pa kundërshpërblim, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të organizuar, të punëve ose shërbimeve në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë”

“Vullnetarizmi organizohet në formën e vullnetarizmit afatgjatë dhe  të vullnetarizmit afatshkurtër.  Vullnetarizmi afatgjatë organizohet nga një ofrues vullnetarizmi me kohëzgjatje të paktën 20 (njëzet) orë në javë dhe zbatim të rregullt, për të paktën tre muaj të njëpasnjëshëm.  Vullnetarizmi afatshkurtër organizohet nga një ofrues vullnetarizmi me kohëzgjatje më të kufizuar se vullnetarizmi afatgjatë, por, në çdo rast, jo më të shkurtër se 1 (një) orë në javë.  Çdo shtetas shqiptar dhe i huaj ka të drejtë kryejë vullnetarizëm e të japë kontribut në të mirë dhe në interes të publikut apo në dobi të personave të tjerë pa pasur nevojë të organizohet pranë ose nëpërmjet një ofruesi vullnetarizmi”, theksohet në projektligj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme