Qytetet në SHBA mbulohen nga tymi e mjegulla për shkak të zjarreve në Kanada

Me qindra vatra zjarri janë aktive në të gjithë territorin e Kanadasë, duke shkaktuar një përhapje të madhe tymi toksik që ka mbuluar edhe pjesë të mëdha të Shteteve të Bashkuara. Autoritetet amerikane kanë lëshuar alarme për përkeqësimin e ndjeshëm të cilësisë së ajrit, duke i bërë thirrje qytetarëve të marrin masa mbrojtëse.
Në qytetin e Nju Jorkut, Indeksi i Cilësisë së Ajrit (AQI) arriti në nivelin 123, ndërsa në Buffalo ky indeks shkoi në 152, një nivel që konsiderohet i dëmshëm, veçanërisht për grupet e ndjeshme.
Autoritetet shëndetësore në të dy vendet kanë kërkuar që fëmijët, të moshuarit, si edhe personat me sëmundje të frymëmarrjes apo të zemrës, të shmangin qëndrimin jashtë dhe të qëndrojnë në ambiente të mbyllura.
Aktualisht, të paktën 760 zjarre janë aktive në Kanada, nga të cilat 205 janë jashtë kontrollit. Deri më tani, janë djegur mbi 6.8 milionë hektarë pyje dhe tokë.

Ndikimi i këtyre zjarreve ndjehet fort në SHBA, ku cilësia e ajrit është përkeqësuar ndjeshëm nga rajoni i Liqeneve të Mëdha deri në verilindje të vendit. Qielli i mjegullt është shfaqur nga Minneapolis në New York City, ndërsa në aeroportin ndërkombëtar Logan të Bostonit u shkaktua të hënën edhe një ndalesë e përkohshme e fluturimeve për shkak të dukshmërisë së ulët.
Qytetet si Detroit, New York City dhe Chicago vijojnë të jenë ndër më të prekurat, duke regjistruar disa nga cilësitë më të këqija të ajrit në botë aktualisht.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





