Radio Kukësi drejt statusit “Monument kulture”, propozimi për statusin nga Këshilli i Qarkut: Do të sillte disa përfitime të rëndësishme

Aktualitet | 5 muaj më parë

Radio Kukësi, një nga institucionet më të rëndësishme mediatike dhe kulturore të qarkut, është propozuar për t’u shpallur monument kulture. Propozimi u paraqit gjatë mbledhjes së radhës së Këshillit të Qarkut Kukës, ku u diskutua rëndësia historike dhe vlerat që mbart kjo godinë për qytetin dhe rajonin.

Ndërkohë, Drejtori Juridik i Këshillit të Qarkut Kukës, Bledar Cengu, shpjegoi përfitimet që do të kishte godina nëse merr statusin e monumentit të kulturës

“Në rast se Radio Kukësi merr miratimin nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore për t’u shpallur monument kulture dhe zonë e mbrojtur, kjo do të sillte disa përfitime të rëndësishme pozitive.

Nëse aprovohet si monument kulture, ruhet identiteti historik i objektit, dokumentohet dhe mbrohet rëndësia e tij për historinë lokale, si dhe krijohen mundësi për përfitimin e projekteve të restaurimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.

Statusi si monument kulture e bën objektin pjesë të trashëgimisë kulturore, duke garantuar ruajtjen e vlerave të tij historike dhe kulturore. Gjithashtu, objekti nuk mund të shitet, të tjetërsohet apo të ndryshohet pa miratimin përkatës të institucioneve të trashëgimisë kulturore”, tha Cengu.                       

Nga ana tjetër, Drejtori i RTSH Kukësit Jonuz Hallaçi foli për historinë e Radio Kukësit, duke kujtuar rolin e saj në pasqyrimin e jetës sociale, kulturore dhe historike të zonës ndër dekada.

“Fillimisht dua të falënderoj, në emër të të gjithë punonjësve dhe ish-punonjësve të Radio Kukësit, Këshillin e Qarkut dhe kryetarin Astrit Dobrushi për këtë vlerësim që i bëjnë institucionit të Radio Kukësit”, tha Hallaçi.

Godina dhe vendi ku ndodhet mbartin një sërë vlerash arkitekturore, pasi ndërtesa ka mjedise të mira dhe të përshtatshme, duke ruajtur vlera të jashtëzakonshme”.

Ky propozim pritet të ndiqet me procedurat përkatëse, ndërsa përfaqësuesit e institucioneve lokale shpresojnë që Radio Kukësi të marrë statusin e monumentit të kulturës, duke garantuar ruajtjen e trashëgimisë së saj për brezat e ardhshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme