Raketat shënjestrojnë Ambasadën Amerikane në Bagdad

Një breshëri raketash shënjestroi Zonën e Gjelbër të Bagdadit, duke shkaktuar dëme në kompleksin e Ambasadës Amerikane.
Ushtria irakiane tha se një “grup i jashtëligjshëm” hodhi tetë raketa në drejtim të Zonës së Gjelbër – vend ku ndodhen ambasadat e huaja dhe ndërtesat qeveritare.
Shumica e raketave ranë pranë një kompleksi bosh dhe plagosën një person të sigurimit irakian, tha ushtria lokale.
Ambasada Amerikane tha se sistemet e saj të mbrojtjes u aktivizuan, ndërsa i bëri thirrje Qeverisë irakiane që të ndërmarrë veprime, për të parandaluar sulmet e tilla nga milicitë.
“Këto lloje sulmesh në objektet diplomatike janë shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe sulm i drejtpërdrejtë mbi sovranitetin e Qeverisë amerikane”, tha ambasada.
Zyrtarët amerikanë kanë fajësuar në të kaluarën milicitë irakiane, të mbështetura nga Irani, për kryerjen e sulmeve kundër interesave të SHBA-së në Irak.
SHBA-ja ka konfirmuar në fillim të dhjetorit tërheqjen e pjesshme të stafit nga ambasada në Bagdad, në përgjigje të tensioneve në rritje me Iranin dhe milicitë irakiane.
Zyrtarët kanë thënë se reduktimi i përkohshëm i stafit bëhet në prag të përvjetorit të parë të vrasjes së gjeneralit iranian, Qasem Soleimani, në një sulm me dron të SHBA-së, në Irak.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se Irani ose milicitë aleate mund të kryejnë sulme hakmarrëse rreth përvjetorit të 3 janarit.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




