Rama iu përgjigjet skeptikëve

Sporte të tjera | 4 vite më parë

“Në një botë ku faktet janë gjithnjë e më të shpërfillura dhe mllefet e inatet gjithnjë e më shumë alternativë e fakteve, mjedisi politik e mediatik shqiptar është kthyer në një “çmendinë”, që përditë çmend dynjanë!”. Me këto fjalë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka dashur të nisë përgjigjen e tij ndaj të gjithë atyre që përfolën përkrahjen e qeverisë si propagandë për triumfin historik të Luiza Gegës. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Rama ka numëruar të gjitha shpërblimet që kanë marrë sportistët shqiptarë që kanë marrë medalje në aktivitetet ndërkombëtare.

“Vetëm në vitin 2021 kanë përfituar shpërblim në bazë të rezultateve në arenën ndërkombëtare 14 protagonistë, 7 sportistë dhe 7 trajnerët e tyre. Ndërsa për vitin 2022 kane përfituar 44 vetë, 22 sportistë dhe 22 trajnerët e tyre. Sot nuk ka më shpërblime spontane për ata që nderojnë flamurin kuqezi në arenën ndërkombëtare dhe nuk ka më as harresa. Të gjithë sportistët që kanë marrë medalje në arenën ndërkombëtare kanë marrë shpërblimet përkatëse sipas vendimit përkatës të qeverisë.

Përveç shpërblimeve kampionët ndërkombëtarë kanë marrë edhe trajtim të përhershëm përfshirë edhe shqiptarët e Kosovës! Bazuar në një tjetër vendim qeverie të disa viteve më parë, ata përfitojnë edhe statusin e nivelit të lartë e janë punësuar nga Ministria e Mbrojtjes.

Atletët Luiza GEGA e Ilir KËLLEZI, Xhudistët, Nora GJAKOVA, Distria KRASNIQI e Indrit ÇULLHAJ, si dhe peshëngritësit Briken CALJA e Ilirian SULI.

Ministria e Mbrojtjes ka propozuar përfshirjen e kampionëve ndërkombëtarë në rangun e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Ligji është në fazën e bashkërendimit me institucionet e linjës dhe në mes të shtatorit do të hyjë në procedurën parlamentare. Sportistët e punësuar aktualisht pranë Ministrisë së Mbrojtjes, që do të përfitojnë nga ky ligj gradën e kolonelit janë:

Luiza GEGA, Briken CALJA, Nora GJAKOVA, Distria KRASNIQI.

Si përfundim, jam i bindur që as tërë këto fakte nuk do të hedhin dot dritë mbi shpirtrat katran, ku merr jetë urrejtja profesionale e mendjembrapshtëve që e përndjekin këmba-këmbës këtë vend, qysh nga dita e krijimit të alfabetit shqip. Por s’kemi ç’bëjmë tjetër përveçse të marrim shembull nga Luiza Gega

TË VRAPOJMË MË SHPEJT”


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme