Rama: Kurrë s’do ndërhyj në çështjet e drejtësisë. Ankoheni për mua, por paraardhësi im ju kërcënon para derës së SPAK

Politikë | 8 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kritikave që i janë bërë për deklaratat e tij mbi reformën në drejtësi, duke theksuar se nuk mund të flitet për presion apo pengim të hetimeve, por ngritje të problemeve serioze që duhen adresuar.

Ai tha se fjala “presion” është e ekzagjeruar, ndërsa shtoi se kurrë nuk ka ndërhyrë në çështje që i takojnë drejtësisë.

“Ankohen për deklaratat e mia duke thënë që faktori politik të mos ushtroj presion ndaj drejtësisë. Unë nuk jam aktor politik, por jam kryeministri i dalë nga një votë popullore, si faktori qeverisës më mbështetës i drejtësisë dhe më i ndjeshëm ndaj gabimeve të saj. Në thelb, unë ngre probleme serioze që duhet të rregullohen për reformën në drejtësi. Fjala presion është shumë e madhe kur thuhet ndaj meje që jam një garant i pavarësisë së drejtësisë; duhet të kuptojnë se ku ishin fjetur kur paraardhësi im i shenjtë ofendonte dhe dëmtonte”, tha Rama.

Kryeministri bëri edhe një paralele lidhur me reagimet që institucionet e drejtësisë kanë bërë për deklaratat e tij dhe heshtjes së tyre kur “paraardhësi i tij i ofendon me libër shtëpi para dyerve të SPAK”.

 “Të mos harrojmë se atij që nuk ia doli dot të ishte pasardhësi im, pasi ishte paraardhësi im, nuk i artikulojnë dot gjysmë llafi dhe nuk lexon me libër shtëpie duke qëndruar para derës së SPAK. Atëherë unë sugjeroj që të merremi me mesazhin dhe jo me mesazherin, sepse pasiguria dhe keqinterpretimi publik vjen nga ata që nuk e kuptojnë sistemin e ri të drejtësisë dhe jo nga unë, që i kam dorëzuar shpatën e drejtësisë së pavarur. Kurrë nuk do të ndërhyj në çështjet që i takojnë drejtësisë. Edhe pse alibia e pengimit të hetimeve ka arritur në kulmin e për të qeshur, por është për të qarë dhe për të vënë kujën”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme