Rama mbledh Asamblenë e PS në Dibër: Integrimi europian është mision kombëtar, vetëm PS mund ta realizojë
Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, zhvilloi këtë të shtunë, më 25 prill, Asamblenë e PS,së në Dibër.
Para mbledhjes, ai mbajti edhe një takim me fermerët e zonës, ku u diskutua mbi bashkëpunimin bujqësor dhe nismat e reja për prodhimin vendas.
Në fjalën e tij, Rama theksoi rëndësinë e mandatit të socialistëve dhe rezultatet e arritura në këtë qark, duke i cilësuar tre mandatet e fituara në Dibër si një arritje të veçantë.
“Kemi mbi supe barrën e 83 mandateve, të cilat kanë të gjitha vlerën e tyre. Dua t’ju them që tre mandatet fituese të këtij qarku janë mandate që shkëlqejnë jo thjesht si numra, por për rezultatin që përfaqësojnë, një rezultat spektakolar,” u shpreh Rama.
Kryeministri solli në vëmendje projektin e Rrugës së Arbrit, tashmë të përfunduar, duke e cilësuar si një vepër që po sjell zhvillim konkret në Dibër.
“Fatmirësisht Rruga e Arbrit nuk është më projekt apo premtim, por vepër e realizuar. Sot janë frytet e para që po fillojnë të preken. Pasuritë e patundshme janë rritur në vlerë, është rritur toka, janë shtuar kërkesat për ndërtim në Peshkopi. Kam besim se këto vite do të jenë vite të një rilindjeje tjetër për këtë zonë,” – tha ai.
Rama u ndal edhe tek perspektiva demografike e Dibrës, duke e parë si një zonë me potencial për kthime nga emigracioni.
“Një tendencë ka filluar, për shembull në Berat janë regjistruar më shumë kthime sesa largime. Jam i bindur se kjo do të ndodhë edhe këtu. Dibra është shumë afër kryeqytetit, është jastëku i gjelbër i Tiranës, me natyrë të pranishme dhe potencial të madh zhvillimi,” u shpreh kreu i PS.
Në vijim, ai e lidhi këtë zhvillim me misionin kombëtar të Partisë Socialiste, duke e konsideruar integrimin europian si objektivin kryesor.
“Punët e Shqipërisë po vazhdojnë pa ndalim dhe po japin gjithmonë e më shumë rezultate të prekshme. Misioni ynë kombëtar si socialistë është ta çojmë Shqipërinë dhe ta ulim në tryezën e përbashkët të Europës. Jemi në fazën finale të këtij misioni, një fazë e vështirë që kërkon angazhim të madh nga të gjithë sektorët, veçanërisht bujqësia,” – theksoi ai.
Rama nënvizoi se bujqësia dhe fermerët do të jenë në qendër të sfidës së integrimit.
“Kjo është një fazë që kërkon një kuptim shumë të drejtë se çfarë na pret dhe për këtë arsye është e rëndësishme ajo që po ndodh me bujqësinë, ajo që po ndodh me fermerët, sepse janë ata të cilët do të jenë në ‘derën’ e Europës ose të bekuar ose të mallkuar sipas nivelit të tyre të përgatitjes për atë ditë. Nuk mund të ketë një vend të Bashkimit Europian, siç do të jemi ne, dhe të mos ketë siguri ushqimore, dhe të ketë produkte pa standardet më të larta të sigurisë,” u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë politike që ka kapacitetin për ta çuar Shqipërinë drejt integrimit europian.
“Ne jemi një forcë hegjemonë në politikën shqiptare dhe duhet të qëndrojmë të tillë, sepse vetëm Partia Socialiste mund ta kryejë këtë mision kombëtar. Asnjë forcë tjetër politike, asnjë forcë tjetër pseudopolitike, asnjë lloj force tjetër rreth e rrotull politikës, nuk ka kapacitetin ta bëjë këtë nëse nuk e bën Partia Socialiste e Shqipërisë. Prandaj është e rëndësishme që të jemi të bashkuar, të fortë dhe të vetëdijshëm për rolin tonë,” deklaroi Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




