Rama me përfaqësues të teknologjisë e inovacionit: Duam të bëhemi partnerë. Investimi në teknologji me detyrim për pushtetin vendor dhe privatët

Aktualitet | 1 vit më parë

Kryeministri Edi Rama, në një takim me përfaqësues të teknologjisë, inovacionit dhe start up-eve, i ka vënë atyre “në dispozicion” qeverinë për të bërë të mundur arritje të përbashkëta.

Rama theksoi mbështetjen e qeverisë për atë që e cilësoi si “botë të re”, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së urave të komunikimit, në mënyrë që edhe shteti të bëhet partner. Ai tha se tashmë ka nevojë që të krijohen edhe instrumenta të rinj financiarë për mbështetjen e këtij sektori.

“Besoj se ju keni çfarë të na mësoni dhe sugjeroni konkretisht në ecurinë e punës tuaj. Një pjesë e juaja janë të lidhur ngushtë me tregun dhe aktorë domethënës në tregu ndërkombëtar. Kjo do të thotë që janë të lidhur me produkte që nëse i shërbejnë administrimit të situatave jashtë Shqipërisë nuk ka asnjë arsye pse të mos shërbejnë edhe në Shqipëri. Ne kemi nevojë për çdo gjë në këtë aspekt. Sëbashku mund të angazhohemi për produkte të dedikuara që nuk janë ekzistuese, në vend që të shkojmë të paguajmë për produkte ekzistuese që vijnë nga jashtë. Në këtë aspekt, nuk duhet ta neglizhojmë çështjen e sovranitetit, në funksion të mbrojtjes nga boshllëqet ku mund të penetrojnë aktorë me qëllime të këqija ndaj vendit nëpërmjet sulmeve kibernetike”, tha Rama.

Sa i përket sigurisë kibernetike, Rama tha e sektori publik ka bërë progres, por nga ana tjetër shprehu shqetësimin se sektori privat, sipas tij, nuk po ecën me të njëjtin ritëm.

“Ne kemi bërë progres në këtë aspekt, por jam i vetëdijshëm sa shumë boshllëqe kemi, sidomos në sektorin privat, ku ka një mungesë të madhe vetëdije se çfarë dëmesh mund të vijnë nga ekspozimi ndaj sulmeve kibernetike. Ndërkohe që p forcojmë mbrojtjen tonë në sektorin publik, jemi të shqetësuar që sektori privat nuk po ecën me të njëjtin ritëm. Ne mund të kemi një ofertë për sektorin privat”, theksoi kryeministri.

Kreu i qeverisë u ndal edhe te sulmi që pësoi faqja e Bashkisë së Tiranës, teksa theksoi se një gjë e tillë nuk mund të lejohet. Ai shtoi se do të shihet mundësia që të gjitha institucioneve në nivelin vendor dhe në sektorin privat, t’i vendoset një detyrim për të investuar në teknologji.

“Ne nuk jemi në luftë me një haker anonim, ne jemi në luftë me një nga vendet më të fuqishme kibernetike. Kemi çdo ditë sulme sistematike dhe nuk keni dëgjuar më asgjë, ndodhi diçka me një institucion të pushtetit vendor që ishte jashtë sistemit të mbrojtjes. S’mund ta lejojmë këtë gjë. Nesër mund të sulmojnë një bankë, një spital privat, një strukturë private të shpërndarjes së ushqimeve dhe mund të bëjnë problem shumë të madh. Jemi duke menduar si të ndërtojmë një sistem ku nga një anë ti vendosim një detyrim të gjitha institucioneve në nivelin vendor, apo në sektorin privat që të  kenë një përqindje investimi në teknologji. Me sektorin privat të shohim mundësinë që investimi në teknologji të jetë i zbritshëm nga taksat”, theksoi ai.

Kryeministri propozoi edhe ngritjen e një forumi që do të bënte bashkë, të paktën 3 herë në vit, qeverinë dhe përfaqësuesit e këtij sektori.

“Dua të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë dhe çfarë mund të bëjmë më shumë. Mendoj se vlen të kemi një Këshill, një hapësirë, forum, ku të mblidhemi të paktën 3 herë në vit për të diskutuar mbi çështjet dhe të rejat të 4 mujorit të mëparshëm. Qëllimi nga ana jonë është që t’jua vëmë në dispozicion qeverinë, në aspektin e mundësive që mund të kemi, në aspektin e ‘kavies’ që mund të jemi për ju. Nëse duam që të bëjmë progres duken i dhënë vetes gjithmonë e më shumë mundësi përmes inteligjencës artificiale duhet të kemi një ndërveprim ku ju të keni mundësi të keni sa më shumë të dhëna”, theksoi kryeministri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme