Rama me përfaqësuesit diplomatik: Në pranverë presim Samitin e Berlinit! Tensionet në veri, shashkë e retorikës politike

Me rastin e festave të fundvitit, Kryeministri Edi Rama shtroi një darkë me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, me të cilët ndau mbresat e ngjarjeve të vitit që po mbyllet, si dhe diskutoi për projektet të përbashkëta që do të realizohen së shpejti, me vende mike e partnere.
Rama e konsideroi 2022 një vit mjaft të suksesshëm për Shqipërinë, të cilës iu dëgjua zëri krah SHBA në Këshillin e Sigurimit për luftën në Ukrainë si dhe zhvilloi samitin e BE për herë të parë në një vend të Ballkanit.
“Ç’vit i pabesueshëm për marrëdhëniet tona me jashtë ky viti 2022 e ndërkohë që jemi në aspektin e ndodhive fatlume le të mos harrojmë çeljen e bisedimeve me BE. Është një tjetër datë kyçe e shënjuar në kalendarët tanë, por për mua dallon jo thjeshtë për rëndësinë e saj për marrëdhëniet tona me jashtë. Më shumë sesa për marrëdhëniet e Shqipërisë me Europën, kjo ka të bëjë me marrëdhëniet e shqiptarëve me të ardhmen e tyre. Falë kësaj arritje madhore, Shqipëria është më pranë së ardhmes sesa ishte në krye të këtij viti”, tha Rama.
Rama bëri të ditur gjithashtu se Gjermania ka kërkuar nga Shqipëria që pranverën e ardhshme të mikëpres Samitin e Procesit të Berlinit.
“E shohim si shprehje vlerësimi dhe respekti për atë çka Shqipëria po bën vazhdimisht për të promovuar në mënyrë aktive bashkëpunim rajonal, paqen dhe dialogun, lidhje më të ngushta me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor, ndërveprimet midis njerëzve dhe bizneseve nga të gjitha vendet tona. Do të bëjmë maksimumin që të jemi në lartësinë e detyrës dhe të mikpresim një Samit të paharrueshëm të Procesit të Berlinit, ashtu siç mikpritëm një samit të BE që la një mbresë pozitive tek të gjithë ata që erdhën në Tiranë”, tha Rama.
Rama u ndal edhe në tensionet në veri të Kosovës, ku tha se e vetmja zgjidhje për palët është dialogu dhe se retorikat politike për dërgim të trupave serbë në veri janë surreale dhe të papranueshme.
“Ku nuk është një fundvit i mirë për procesin e normalizimit midis Kosovës dhe Serbisë. Rritja e tensioneve në veri të Kosovës është, jo vetëm e padobishme, por thellësisht shqetësuese. Është e pabesueshme që na duhet të merremi vazhdimisht me shfaqjen e barrikadave, prapakthime në procesin e normalizimit dhe ekipe zjarrfikësish të SHBA dhe BE që vrapojnë të shpëtojnë makinerinë e dialogut nga flakët e një retorike të rënduar politike. Së fundmi, dëgjuam deri për kërkesa të bëra NATO-s për të dërguar trupa serbe në veri të Kosovës, për të mbrojtur serbët etnikë. E kuptoj që kjo mund të jetë një tjetër shashkë speciale e retorikës politike, por është po kaq surreale sa do të ishte nëse Kosova do t’i kërkonte NATO-s të dërgonte trupa shqiptare në Serbinë jugore për të mbrojtur shqiptarët etnikë. E gjitha kjo është tejet larg asaj për të cilën kemi nevojë. Kemi hyrë në dekadën e tretë qysh kur Kosova u lirua një herë e përgjithmonë nga Beogradi. Ajo nuk do të jetë kurrë më nën ligjin e Beogradit. Ne kemi nevojë vetëm tre gjëra: Dialog, dialog, dialog. Pjesa tjetër është thjeshtë politikë e keqe”, tha Rama
Lidhur me luftën në Ukrainë, kryeministri bëri të qartë edhe një herë se Shqipëria do të rrijë në krah të Kievit deri në fund.
“Ç’vit të pabesueshëm po mbyllim! Kur u takuam në fund të vitit të kaluar, askush nga ne këtu, as kudo tjetër, nuk mund ta imagjinonte se 2022 do të sillte luftën sërish në Europë. Mendimet tona sonte janë pikë së pari me qindra mijëra familjet ukrainase, për të cilat kjo është Krishtlindja më e mosozotshme qysh prej Luftës së Dytë Botërore, që sjell vetmi më shumë se bashkësi, zymtësi më shumë se dritë, frikë më shumë se festim. Le të lutemi për ta çdo herë që mblidhemi me miqtë e me familjen nën dritat e pemës së Vitit të Ri në qytetet tona a në shtëpitë tona. Shqipëria do të rrijë krah Ukrainës deri në fund. Jemi përulësisht të nderuar që na është dhënë privilegji për të mbështetur si anëtar jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit kauzën e drejtë të shtetit të Ukrainës. Kush mund ta përfytyronte deri pak vite më parë se Shqipëria do të ulej atje lart me shumë pak të tjerë, për të debatuar çështjet më të rëndësishme të Kombeve të Bashkuara”, tha Rama
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




