Rama ndan pamje nga kantieri i Muzeut Historik Kombëtar: Një thesar i rëndësishëm i turizmit kulturor

Aktualitet | 10 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka ndarë këtë të mërkurë pamje nga kantieri i Muzeut Historik Kombëtar, duke e cilësuar si një nga projektet më të rëndësishme të turizmit kulturor në vend.

“Mirëmëngjes dhe me këto pamje nga kantieri i rilindjes së Muzeut Historik Kombëtar, një thesar i rëndësishëm i turizmit kulturor, ju uroj një ditë të mbarë”, – shkruan Rama në postimin e tij në rrjetet sociale.

Muzeu Historik Kombëtar, institucioni më i rëndësishëm në rang kombëtar, mbylli dyert për publikun më 15 mars 2024.

Sipas njoftimeve zyrtare, ai do të qëndrojë i mbyllur për katër vite, me rihapjen e planifikuar më 15 mars 2028.

Projekti parashikon restaurimin, rikonstruksionin dhe muzealizimin e objektit, i shpallur Monument Kulture i kategorisë së Dytë.

Ndërhyrjet në Muzeun Historik janë pjesë e programit EU4Culture, që mbështet 24 objekte të trashëgimisë kulturore në Shqipëri, me një fond prej 40 milionë eurosh të siguruar nga Bashkimi Europian dhe buxheti i shtetit.

Investimi pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor në mënyrën se si publiku do të lidhet me historinë dhe elementët e identitetit kombëtar.

Vetëm gjatë vitit 2023, Muzeu Historik Kombëtar u vizitua nga 99,796 persona – një rritje prej 80% krahasuar me vitin 2022, kur numri i vizitorëve ishte 55,306.

Me këtë projekt, Rama e ka cilësuar kantierin si “rilindjen e muzeut”, duke e vendosur në qendër të vizionit për zhvillimin e turizmit kulturor në Shqipëri.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme