Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS: Anëtarësimi në BE deri në 2030 është “sfida e sfidave”, të energjizohemi për zgjedhjet vendore

Politikë | 7 muaj më parë

Kryeministri dhe lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar këtë të martë një mbledhje me dyer të mbyllura me grupin parlamentar socialist. Takimi, i zhvilluar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit larg vëmendjes së medieve, u fokusua në tre shtylla kryesore: performancën e deputetëve në parlament, riorganizimin e strukturave të partisë para zgjedhjeve vendore dhe gjetjet nga turi i dëgjesave me qytetarët, “Punët e Shqipërisë”.

Gjatë fjalës së tij, Rama kërkoi një angazhim të shtuar të ligjvënësve në punimet e Kuvendit, ndërsa theksoi rëndësinë e mbajtjes së kontaktit të vazhdueshëm me bazën. Ai shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen dhe interesin e lartë të qytetarëve nëpër asambletë lokale.

“Më ka bërë përshtypje angazhimi dhe dëshira për të dëgjuar në çdo Asamble, faktikisht,” u shpreh kryeministri para deputetëve.

Rritja ekonomike dhe pagat

Duke u ndalur te turi “Punët e Shqipërisë”, i cili synon diskutimin e problemeve që kërkojnë zgjidhje konkrete në çdo qark të vendit, Rama theksoi se perceptimi i qytetarëve për ekonominë ka ndryshuar rrënjësisht. Sipas tij, shqiptarët po e prekin drejtpërdrejt rritjen ekonomike, veçanërisht përmes politikave të fundit për pagat.

“Ndryshe nga më parë, kur flet për ekonominë, ndjen nga atmosfera në sallë se ka një pranim të faktit që ekonomia ka hyrë në një rrugë që i jep të gjithëve shpresë dhe që ka vetëm përmirësim. Kur flet për pagat, është shumë e qartë që njerëzit mund të bëjnë menjëherë verifikimin te vetja dhe te të tjerët përreth,” nënvizoi ai.

Integrimi në BE dhe sfidat elektorale

Përveç ekonomisë, Rama e vuri theksin tek objektivi strategjik i qeverisë: integrimi i plotë i Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade. Ai e cilësoi këtë si përgjegjësinë më të madhe historike të socialistëve.

“Kjo është sfida e sfidave, jo thjesht për ne, por për një forcë politike që gjendet me fatin e vendit në duar; që ne të mbyllim një varg kapitujsh të historisë, duke vulosur përkatësinë evropiane të Shqipërisë dhe duke siguruar anëtarësimin në BE në vitin 2030,” deklaroi kreu i qeverisë.

Në mbyllje të mbledhjes, vëmendja u zhvendos te proceset e brendshme zgjedhore në Partinë Socialiste. Rama u bëri thirrje deputetëve dhe strukturave për një mobilizim total në funksion të sfidave të ardhshme elektorale.

“Ne kemi hyrë në këtë proces, në radhë të parë, për të energjizuar komplet PS-në në funksion të zgjedhjeve vendore. Sepse përballë kemi vetëm veten dhe sfidën për të realizuar misionin tonë,” përfundoi Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme