Rama pret boksierin Nelson Hysa: “Albanian Eagle” që nuk njeh humbje

Aktualitet | 2 muaj më parë

Kryeministri Edi Rama ka pritur në zyrën e tij në Kryeministri boksierin shqiptar Nelson Hysa, pas fitores së tij spektakolare ndaj norvegjezit Thomas Narmo.

“Nelsoni, the Albanian Eagle që nuk njeh humbje, dhe unë bashkë me demokratin Zef Gjoni, që luftojmë veç për fitore”, shkruan Rama në një postim në rrjetet sociale, duke ndarë edhe momente nga takimi me boksierin.

Gjatë takimit, Rama u interesua për ndeshjen dhe rrugëtimin e Hysës në ring, ndërsa kampioni shqiptar tregoi për sfidën e zhvilluar pas 11 muajsh pa ndeshje, duke veçuar nivelin e lartë të kundërshtarit, i cili konsiderohej favorit për fitimin e titullit.

Rama e përgëzoi kampionin Hysa për suksesin dhe mbrojtjen e titullit, duke vlerësuar rezultatet e tij në arenën ndërkombëtare. Ndërsa boksieri theksoi se aktualisht është i vetmi boksier shqiptar i renditur në katër federatat kryesore ndërkombëtare të boksit.

Dy ditë më parë, boksieri shqiptar i peshave të rënda, Nelson Hysa triumfoi përballë Thomas Narmos në O2 Arena të Londrës, ku mbrojti me sukses titullin WBO. Boksierit 41-vjeçar shqiptar i mjaftuan vetëm dy raunde për të mposhtur kundërshtarin norvegjez.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme