Rama: PS nis një fazë të re komunikimi me shqiptarët në të gjithë territorin
Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se forca politike që ai drejton, Partia Socialiste ka hyrë në një fazë të re komunikimi më të drejtpërdrejtë në të gjithë territorin.
Sipas kryeministrit, Rama, kjo fazë komunikimi do të shoqërohet “me një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit”.
“Dhe në mbyllje të shënimeve, dua të nënvizoj se kemi hyrë tanimë në një fazë të re komunikimi më të drejtpërdrejtë dhe natyrisht në të gjithë territorin, ku do të angazhohemi me një cikël takimesh me komunitetet në të gjitha qarqet për të folur për këtë moment të rëndësishëm të vendit, për punët që kanë nisur në këtë mandat të katërt, për punët që do të nisin së shpejti dhe natyrisht për të dëgjuar njerëzit”, u shpreh Rama në podcastin “Flasim”.
Duke iu referuar organizimit të Partisë Socialiste për zgjedhjet e ardhshme vendore, Rama tha se fitorja në këto zgjedhje do të jetë shembullore.
“Dhe në funksion të organizimit, që si gjithmonë ne e nisim me kohë për atë që do të jetë fitorja e ardhshme shembullore e Partisë Socialiste vitin e ardhshëm në zgjedhjet vendore”, tha Rama.
Ai vuri në dukje se në këto takime “do të flasim për punët e Shqipërisë, do të flasim për çka po ndërtojmë, do të flasim për çka shohim si pengesa për t’u kapërcyer”
“Do të flasim për gjithçka që njerëzit do të duan të ndajnë me ne apo duan të dëgjojnë nga ne. Dhe patjetër do të ndajmë me njerëzit ato që janë sfida tërësisht të përbashkëta, ku natyrisht përgjegjësia kryesore i takon, dhe s’ka sesi të jetë tjetër, qeverisë”, përfundoi kreu i qeverisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




