Rama zbardh qëllimin e vizitave: Integrimi i rajonit dhe rindërtimi i Ukrainës janë pjesë e të njëjtës strategji për një Europë më të bashkuar
Në episodin e radhës të podkastit Flasim, Kryeministri Edi Rama u ndal në disa prej zhvillimeve më të rëndësishme të javës, duke veçuar vizitën në Paris dhe më pas atë në Gdansk të Polonisë.
Rama tha se vizita në Francë u zhvillua me ftesë të Presidentit Emmanuel Macron, në kuadër të një dialogu gjithmonë e më të ngushtë politik mes Shqipërisë dhe Francës.
“Diskutuam mbi ecurinë e projekteve të partneritetit strategjik mes dy vendeve. Patjetër, cekëm çështjen e mbështetjes së Francës në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe zhvillimet që lidhen me të nesërmen e BE-së, ku Franca ka një rol të rëndësishëm për shtytjen më përpara të perspektivës europiane të Shqipërisë dhe vendeve të tjera që negociojnë.” – u shpreh Rama.
Ai kujtoi edhe letrën e përbashkët të Presidentit Macron me Kancelarin Friedrich Merz, ku theksohej nevoja për mekanizma të rinj në procesin e zgjerimit të BE-së.
Në fund të javës, Rama mori pjesë në konferencën për rindërtimin e Ukrainës, ku u diskutua jo vetëm mbështetja për vendin në luftë, por edhe arkitektura e sigurisë europiane në vitet që vijnë.
“Qëndrimi i Shqipërisë është i ditur dhe u rikonfirmua. Ishte vendi i duhur, në kohën e duhur, për të nënvizuar se rindërtimi i Ukrainës dhe afrimi i mëtejshëm i Ballkanit Perëndimor, përfshirë Moldavinë dhe Ukrainën, në Bashkimin Europian, nuk duhen parë si dy procese të ndara, por si pjesë e të njëjtës qasje strategjike për një Europë më të qëndrueshme, më të bashkuar dhe më të sigurt.” – tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




