Raporti për Femicidin në vend: 37 gra të vrara në 4 vite, shumica në zonat rurale. Mungesa e mekanizmave mbrojtës, problem kryesor

Sociale | 8 muaj më parë

Observatori i Femicidit pranë Avokatit të Popullit prezantoi të dhënat më të fundit lidhur me dhunën ndaj grave dhe vajzave në vend për periudhën 2021-2024. Raporti , i prezantuar nga komisionerja Vilma Shurdhi, vëren se rastet më të mëdha të dhunës dhe femicidit në Shqipëri janë në zonat rurale, ndërsa mungesa e mekanizmave mbrojtës dhe efektivë në mbrojtjen e grave dhe vajzave mbeten problematikat kryesore.

Raporti përfshin jo vetëm vrasjet dhe femicidet, por edhe vrasjet e mbetura në tentativë, plagosjet e rënda me dashje dhe shkaktimin e vetëvrasjes. Gjatë katër viteve, 2021-2024, u vranë 37 gra dhe vajza, nga të cilat 27 raste, ose rreth 73%, janë vlerësuar si femicide. Vetëm gjatë vitit 2024 u analizuan 18 raste të dhunës ekstreme ndaj grave dhe vajzave.

Shumica e rasteve ndodhin në zonat rurale, ku regjistrohen 56% e ngjarjeve, duke treguar një nevojë më të madhe për mbrojtje.

Gjithashtu nga 19 autorë të identifikuar, 17 ishin burra ose djem, dhe motivet kryesore lidhen me dëshirën për kontroll, xhelozinë dhe normat patriarkale të thella.

Raporti thekson se në 72% të rasteve, viktimat kishin përjetuar dhunë të mëparshme nga autori, duke treguar se dhuna fatale shpesh është përshkallëzim i abuzimit të njohur. Pesë viktima kishin kërkuar ndihmë në polici para ngjarjes, por asnjë nuk ishte nën masa aktive mbrojtjeje në momentin e krimit.

Viktimat e vitit 2024 ishin nëna të 33 fëmijëve, prej të cilëve 9 ishin të mitur. Në një rast tragjik, tre fëmijë të mitur humbën jetën nga nëna e tyre para se ajo të vetëvritej. Raporti evidenton gjithashtu dobësi në identifikimin e hershëm të rrezikut dhe mungesë koordinimi ndërmjet policisë, prokurorisë dhe shërbimeve sociale, sidomos në zonat rurale ku ndodhin shumica e ngjarjeve.

Avokati i Popullit rekomandon forcimin e vlerësimit të hershëm të rrezikut dhe monitorimit të rasteve, si dhe njohjen ligjore të femicidit si një vepër penale e veçantë. Në mars 2024, Avokati i Popullit, në bashkëpunim me UN Women në Shqipëri, krijoi Observatorin për Femicidin, duke e bërë Shqipërinë vendin e parë në Ballkan që ngriti një mekanizëm monitorimi për vrasjet me bazë gjinore ndaj grave dhe vajzave.

Të dhënat e raportit tregojnë qartë se mungesa e masave mbrojtëse dhe koncentrimi i rasteve në zonat rurale rrisin ndjeshëm rrezikun për femicidet dhe dhunën ekstreme ndaj grave dhe vajzave, duke nxjerrë në pah nevojën urgjente për veprime të koordinuara dhe efektive nga institucionet.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme