Raundi i dytë i negociatave Ukrainë-Rusi, më 2 qershor në Stamboll

Raundi i dytë i negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës do të zhvillohet në Stamboll më 2 qershor, njoftoi Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
Njoftimi vjen ndërsa Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ushtron presion mbi dy palët ndërluftuese që t’i japin fund konfliktit.
Sipas informacioneve, delegacioni rus i udhëhequr nga Vladimir Medinsky do të jetë gati t’ia paraqesë Ukrainës memorandumin e paqes atë ditë dhe të japë sqarimet e nevojshme të hënën e ardhshme.
“Pala ruse, siç është rënë dakord, ka hartuar menjëherë një memorandum përkatës, i cili përcakton qëndrimin tonë mbi të gjitha aspektet e një kapërcimi të besueshëm të shkaqeve rrënjësore të krizës”, theksoi Lavrov.
Zëdhënësi i Kremlinit theksoi se “takime të tilla mund të ndodhin vetëm nëse ka marrëveshje specifike midis dy delegacioneve”. Bisedimet, sipas Peskov, duhet të sjellin rezultate të konsiderueshme për të çuar në një takim të tillë.
Nga ana e tij, presidenti ukrainas propozoi më herët një takim trepalësh, duke thënë: “Ne jemi gati për një format Trump-Putin-unë”, tha Zelensky.
Kujtohet se takimi i parë i përfaqësuesve të Moskës dhe Kievit, pas tre vitesh, u zhvillua më 16 maj në Stamboll. Palët ranë dakord të kryenin një shkëmbim masiv të të burgosurve – 1000 për 1000 – dhe të paraqisnin vizionin e tyre për mundësitë e një armëpushimi në të ardhmen.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




