Reforma në pushtetin vendor, ekspertët kërkojnë ndryshime edhe në hartën territoriale
Reformat e fundit të propozuara nga Kryeministri Rama në pushtetin vendor, përfshirë shërbimet e ujësjellësit, pastrimit, përpunimit të mbetjeve, furnizimin me naftë e barna dhe shërbimin spitalor, konsiderohen të domosdoshme nga ekspertët. Sipas tyre, funksionimi aktual i këtyre shërbimeve është joeficient dhe kërkon ndryshim të thellë.
“Ka probleme të qenësishme në ato 6 sektorë që ai synon të bëjë reforma”, tha Agron Haxhimali, Drejtor i Institutit për Bashkitë.
“Logjikisht janë reforma të mira, por lënë shumë për të dëshiruar sa i përket logjikës për t’i implementuar ato”, u shpreh analisti Ben Andoni.
Megjithatë, Agron Haxhimali, njohës i mirë i qeverisjes vendore, shpreh dyshime për mënyrën se si do të funksionojnë korporatat që do marrin përsipër menaxhimin e këtyre shërbimeve.
“Duhet të bëhen në mënyrë institucionale, me gjithëpërfshirje të të gjithë spektrit politik, parlamentit, aktorëve të shoqërisë civile, përfshirë edhe institucionet”, theksoi Haxhimali.
Analisti Ben Andoni thekson se përveç reformave në shërbime, është urgjente edhe reforma territoriale, për të garantuar efikasitet dhe qëndrueshmëri.
“Normalisht duhet të paraprihen nga reforma bazikë dhe reforma bazike është reforma e ndarjes territoriale ku do i duhet ndihma edhe e opozitës”, shtoi Andoni.
Ndërkohë, ultimatumi i Kryeministrit për ristrukturimin e administratës së pushtetit vendor shihet nga disa ekspertë si një ndërhyrje në kompetencat e këtij niveli të qeverisjes.
“Nuk ka asnjë të drejtë asnjë përgjegjësi këshilli i ministrave dhe kryeministri të merret me çështjet e brendshme administrative, as me emërime as me shkarkime”, deklaroi Haxhimali.
“Është një ndërhyrje shumë e madhe”, tha Andoni.
Reformimit të administratës vendore i janë përgjigjur shumica e bashkive, ndërsa ato të drejtuara nga përfaqësues të opozitës nuk janë bashkuar me procesin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




