Restaurimi i monumenteve historike, në Shkodër do të ndërhyhet në kalanë e Rozafës dhe objekte të tjera
Përmirësimi i infrastrukturës së rrjetit të muzeve dhe monumenteve historike në Shkodër, një prej destinacioneve më të vizituara të veriut, shihet si një domosdoshmëri në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit.
Sipas drejtuesve të institucioneve përkatëse, janë miratuar disa projekte konkrete dhe të tjera janë në fazë përgatitore, me fokus ndërhyrjet restauruese në disa nga objektet më të rëndësishme muzeale, përfshirë edhe Kalanë e Rozafës.
“Si drejtori rajonale jemi në konsultim të vazhduar me Fondit shqiptar të Zhvillimit, studion që po bën projektin në lidhje me një restaurim dhe një rikualifikim të kalasë së Shkodrës”, tha Amila Gjyrezi, Drejtuese DRTK Shkodër.
Ndërkohë, edhe godina e Muzeut Historik të Shkodrës, e njohur si shtëpia e patriotit Oso Kuka, është një nga monumenteve që pritet t’i nënshtrohen restaurimit.
“Muzeu për vetë strukturën që ka, kohën kur është ndërtuar, normalisht që mirëmbajtjet kanë qenë sporadike. Këtu ka disa elementë që ka një projekt në dijeni time, një sistemin të funksionalitetit të objektit”, tha Majlinda Laçej, Drejtuese e Muzeut Historik, Shkodër.
Një tjetër aspekt që kërkon përmirësim është sinjalistika turistike, që ndihmon vizitorët të orientohen drejt destinacioneve muzeale dhe pikave të trashëgimisë kulturore.
“Po bëjmë gati një propozim përsa i përket sinjalistikës, sidomos të vizitueshmërisë së muzeut pasi në informacionet tonë ekziston vetëm një tabelë e cila është diku afër qendrës së qytetit”, tha Laçej.
Turizmi kulturor dhe historik po zë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në përvojën e vizitorëve që zgjedhin Shkodrën si destinacion, duke e kthyer trashëgiminë në një aset zhvillimi
Gazetare: A.Hoti
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



