Restaurohet ikona “Burimi jetëdhënës”, me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit

Sociale | 1 vit më parë

Është përmbyllur me sukses procesi i restaurimit dhe konservimit të ikonës “Burimi Jetëdhënës”, një vepër me vlera të veçanta artistike e shpirtërore, me origjinë nga Manastiri i Shën Pjetrit dhe Pavlit në fshatin Vithkuq, të Bashkisë së Korçës. Kjo ikonë pjesë e trashëgimisë sonë të çmuar kulturore, i përket shek. të 18-të dhe është vepër e autorit Konstantin Zografi.

“Është një ikonë e ikonostasit të kishës së Shën Pjetrit dhe Shën Pavlit në Vithkuq, ikonostasi i së cilës ka qenë një nga më të bukurit në vendin tonë dhe ndodhet aktualisht në Muzeun Historik. Është pikturuar nga Konstantin Zografi, në periudhën e pjekurisë së tij artistike dhe rreth viteve 1762-1763”, u shpreh Gentian Proko, Përgjegjës i Laboratorit të Restaurimit.

Ikona kishte dëmtime të konsiderueshme dhe kërkonte një pune të gjatë restauruese e cila zgjati më shumë se një vit.

“Kishte dëmtime që nga suporti, nga paneli i drurit, në shtresat përgatitore dhe në pikturë, vernik i cili ishte i oksiduar në të gjithë elementet e veprës”, tha Proko.

Procesi i restaurimit u realizua në Laboratorin e Restaurimit pranë Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar, një qendër e specializuar që prej vitesh kontribuon në ruajtjen dhe promovimin e thesareve të artit bizantin dhe pas bizantin në Shqipëri.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme