Riaktivizohet zjarri në malin e Krujës, 50 efektivë në terren, ndërhyn helikopteri i ushtrisë. Banorët: Na rrezikohen shtëpitë
Disa vatra zjarri janë riaktivizuar sërish në malin e Krujës, duke rikthyer shqetësimin te banorët e zonës. Flakët janë përhapur në masivin pyjor të Krastës, ndërsa dy vatra të reja janë shfaqur edhe në fshatin Halil, në zonën e njohur si “Kroi i Fokës”.
Situata në Krastë është aktualisht nën kontroll, por terreni i vështirë dhe riaktivizimi i vatrave ka bërë që forcat në terren të vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen.
50 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në Krastë të Krujës. Efektivët e FA-së, së bashku me forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave, vijojnë të qëndrojnë në terren për monitorimin e vatrave dhe ndërhyrjen në rast nevoje.
Ndërkohë, helikopteri i Forcave të Armatosura është rikthyer në zonë, duke vijuar ndërhyrjen nga ajri për shuarjen e vatrave.
Por për banorët e zonës, situata mbetet shqetësuese. Ata thonë se zjarri paraqet rrezik për banesat dhe se terreni i vështirë e bën edhe më të komplikuar ndërhyrjen.
“Ky zjarr është shumë i rrezikshëm. Këtu te pjesa jonë është zonë e mbrojtur, por nuk ke rrugë dhe nuk ke ujë. Si do të fiket zjarri? Terreni është shumë i vështirë”, tha një banor.
Një tjetër banor shprehet se shqetësimi kryesor është përhapja e flakëve drejt banesave, pasi familjet e zonës jetojnë shumë pranë masivit pyjor.
“Nëse nuk fiket ky zjarr, këto shtëpi do të rrezikohen. Unë këtu e kam shtëpinë, këtu tjetri, këtu tjetri. Jemi të gjithë të rrezikuar”, tha ai.
Banorët kërkojnë që ndërhyrja të vijojë deri në shuarjen e plotë të vatrave, pasi frika mbetet se zjarri mund të riaktivizohet sërish dhe të përhapet në drejtim të zonave të banuara.
“Zjarri nuk bllokohet për sekonda. Këtu rrezikohet fshati, rrezikohen shtëpitë. Duhet mobilizim”, tha një banor.
Ndërkohë, një tjetër shqetësim i ngritur nga banorët lidhet me kushtet në zonë dhe mungesën e infrastrukturës së përshtatshme për ndërhyrjen ndaj zjarreve.
“Këtu nuk ke as ujë, as rrugë. Është zonë e mbrojtur, por çfarë mbrojtjeje është kur nuk ka rrugë për të ndërhyrë?”, tha ai.
Për momentin, situata në Krastë është nën kontroll, ndërsa forcat e angazhuara vijojnë monitorimin për të parandaluar riaktivizimin e mëtejshëm të flakëve. Autoritetet po monitorojnë edhe këto vatra për të shmangur përhapjen e zjarrit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



