Rikualifikimi i Pallatit të Kongreseve, Gonxhja: Një vepër që do t’i shërbejë brezave, simbol i Shqipërisë së re

Aktualitet | 5 muaj më parë

Pesë skuadra finaliste të përzgjedhura në Konkursin Ndërkombëtar për Rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve prezantojnë sot (2 qershor) projekt-idetë e tyre arkitekturore përpara jurisë ndërkombëtare, në një proces që synon transformimin e një prej godinave më emblematike të kryeqytetit.

Gjatë prezantimit, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja, theksoi rëndësinë e këtij projekti për të ardhmen kulturore dhe institucionale të vendit, duke e cilësuar rikualifikimin e Pallatit të Kongreseve si një investim strategjik për Shqipërinë.

Sipas tij, objekti i ri duhet të shërbejë jo vetëm si një skenë kombëtare për talentet shqiptare, por edhe si një qendër ndërkombëtare për organizimin e aktiviteteve të rëndësishme që e lidhin Shqipërinë me botën.

Gonxhja nënvizoi se qendra e re duhet të mishërojë frymën e Tiranës moderne, duke ndërthurur traditën me inovacionin dhe kujtesën historike me vizionin për të ardhmen.

“Na duhet një qendër më virtuoze, multifunksionale, më moderne, e denjë për Tiranën dhe Shqipërinë e sotme. Nuk bëhet fjalë vetëm për një godinë me kapaciteteve më të mëdha, por për një infrastrukturë avangarde, të aftë të presë eventeve elitare ndërkombëtare, artistë të njohur botërorë, samite, ekspozite e aktivitete që kërkojnë standarde të larta. Ndaj rikualifikimi i kësaj ndërtese emblematike të Tiranës është një investim shumë i rëndësishëm në shërbim të jetës kulturore, institucionale dhe publike. Na duhet një hapësirë që të jetë njëkohësisht skenë kombëtare për talente shqiptare, por edhe skenë e vërtetë ndërkombëtare për ngjarje që e lidhin vendin tonë tashmë me botën.

Qendra e re duhet të mishërojë frymën e Tiranës së sotme, dinamike, krijuese, moderne dhe e hapur. Duhet të ndërthurë traditën me novacionin, kujtesën me të ardhmen. Jam i lumtur që kësaj thirrje i janë përgjigjur studiot nga më prestigjioze ndërkombëtare të arkitekturës. Sot hedhim një hap të rëndësishëm, shpallim fitues dhe fillon një sfidë e re, ndërtohet një vepër që do t’i shërbejë brezave dhe do të behët simbol i Shqipërisë së re”, tha Gonxhja.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme