Rinumërimi i votave për qarqet Tiranë dhe Fier, Celibashi: Do bëhet nga KQZ, procesi nis javën e ardhshme
Vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve për rinumërimin e plotë të votave për qarqet Tiranë dhe Fier do të bëhet nga stafi i KQZ-së, pa përfshirjen e partive politike.
Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se në total janë 610.301 vota për t’u rinumëruar dhe procesi do të nisë javën e ardhshme.
“Ky proces do të realizohet nga stafi i KQZ, në dallim me këtë proces të zhvilluar pas përfundimit të votimit dhe nxjerrës së rezultatit, i cili si proces është realizuar nga numërues dhe komisionerë të caktuar nga partitë politike. Në këtë rast procesi do realizohet nga stafi i KQZ dhe partitë politike nuk kanë asnjë angazhim në këtë proces. Bëhet fjalë për rinumërimin e rreth 610301 vota për të dy qarqet, Tiranën dhe Fierin. Parashikojmë që të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen”, tha Celibashi.
Celibashi bëri të ditur se procesi rinumërimit do të bëhet te Pallati i Sportit “Farie Hoti”, ndërsa theksoi se çdo element i procesit, përfshirë edhe vlerësimet për fletët e votimit, do të jetë në kompetencë të KAS. Për qarkun Tiranë do të ketë 208 grupe numërimi dhe qarku Fier do ketë 92 grupe numërimi.
“Do zhvillohet tek Pallati i Sportit Farie Hoti. Nuk mund të zhvillohet te Parku Olimpik për shkak të rrethanave objektive aty është parashikuar të zhvillohet kampionat europian i volejbollit. Për Tiranën, procesi i rinumërimit ka angazhuar 208 grupe numërimi ose 104 tavolina, për Fierin 46 tavolina ose 92 grupe numërimi. Do jetë KAS që do të vendosë mbi çdo elementë të këtij procesi, përfshirë edhe vlerësime mbi fletë të caktuara votimi”, tha Celibashi.
Vendimi i KAS për rinumërim të plotë të votave për qarkun Fier dhe Tiranë erdhi pas shqyrtimit të pretendimeve të paraqitura nga subjektet zgjedhore dhe analizimit të dokumentacionit dhe pamjeve filmike të vëna në dispozicion nga KQZ-ja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




