Kandidatët “vodhën” njëri-tjetrin në Fier. Rinumërohen më shumë se gjysmat e votave, shuhen pritshmëritë për ndryshime

Politikë | 1 vit më parë

Vijon procesi i rinumërimit për subjektet politike dhe kandidatët preferencialë për qarkun Fier në Pallatin e Sportit “Farie Hoti”, ku deri në mesditë janë numëruar 325 qendra votimi nga 587 në total.

Rezultatet e rreth 55% të qendrave të votimit nuk janë në favor të “Nismës Shqipëria Bëhet”, që kërkoi hapjen e kutive për të synuar një tjetër mandat në Fier. Deri tani, ky subjekt politik mbetet larg përmbysjes së diferencës prej 519 votash.

Nga rinumërimi, “Nisma Shqipëria Bëhet” rezulton me 10 vota më pak, Partisë Socialiste i janë hequr 32 vota në numërimin fillestar, ndërsa Partisë Demokratike i janë hequr 80 vota të pamerituara.

Devijime votash janë konstatuar edhe në renditjen e kandidatëve preferencialë. Brenda listës së PS-së, kandidatit Ceno Klosi i janë hequr 752 vota në këtë proces rinumërimi, që i ishin atribuuar në mënyrë të pamerituar në numërimin fillestar.

Edhe brenda radhëve të Partisë Demokratike janë konstatuar ndryshime. Kandidates Silva Hasaj i janë zbritur 617 vota të përfituara në numërimin fillestar, edhe kolegut të saj, Gentian Çela, i janë hequr 300 vota pas verifikimit.

Procesi nuk prek garën mes kandidateve të Partisë Socialiste, Maldrita Bardho dhe Zegjine Caushin, së cilës i shtohen 57 vota që i ishin hequr nga numërimi i 11 Majit.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme